"Bashkimi" bashkon rivalët e PDK-së dhe VV-së

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pritur sot ish rivalin e tij në zgjedhjet lokale, Shaqir Totajn, bashkë me klubin kampion në basketboll “Bashkimi”.

“Është kënaqësi e madhe kur qyteti ka një skuadër kampione”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

Ai ka thënë se basketbollistët dhe stafi drejtues i “Bashkimit” u kanë dhuruar këtë kënaqësi prizrenasve duke u shpallur kampion të Kosovës.

“Sot pata nderin t’i takoj dhe t’i uroj edhe njëherë që të gjithë veç e veç për këtë sukses”, shkroi Haskuka.

Ai u ka premtuar sportistëve mbështetjen e komunës për shtimin e sukseseve të skuadrës.

“Për ta arritur këtë, duhet të përmbushen shumë kritere, e ndër më të rëndësishmet janë edhe kriteri infrastrukturor në sport dhe ai financiar. Për këtë, Bashkimi do ta ketë përkrahjen e vazhdueshme komunale që t’i arrijë këto synime”.

“Ky qytet meriton shumë kupa”, ka shkruar Haskuka.

Në zgjedhjet vitit të kaluar për kryetar të komunës, Haskuka dhe Totaj ishin rivalë në garë nga VV përkatësisht PDK. Në balotazh, Haskuka fitoi me rezultat të ngushtë.

Shaqir Totaj është kryetar i klubit të basketbollit “Bashkimi”.