Jeton Ujkani duke kryesuar Kuvendin Komunal të Mitrovicës - Foto: Facebook/JetonUjkani

Bashkëpunëtori i Agim Bahtirit kalon në AAK

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, njëherësh bashkëpunëtori dhe bashkëpartiak i kryetarit të Komunës, Agim Bahtirit, Jeton Ujkani, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga Aleanca Kosova e Re.

Ujkani, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka njoftuar se nga tash e tutje do të jetë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Jeton Ujkani ka theksuar se pas dy palë zgjedhjeve të fundit, hapësira e tij për punë është minimizuar.

“Duke pasur parasyshë pakënaqësitë e mëdha në subjektin AKR, gjithmonë duke u nisur nga mos respektimi i strukturave dhe punës së tyre të palodhshme, unë si individ që nuk pranoj poshtrimin dhe servilizmin, medeomos se do të merrja një vendim!”, ka shkruar ai, duke njoftuar se ka kaluar në AAK-në e Haradinajt.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Familjarë, miq, dashamirë dhe bashkëpunëtorë

Këto vite nga aktivizimi im në politikë jam përkushtuar në mënyrën më të devotshme për t’i kryer punët të cilat më janë dhënë, detyra të cilat kan qenë gjithmonë sipas mendimit tim detyra përmes të cilave i kam shërbyer qytetarëve.

Pas dy palë zgjedhjeve të fundit, hapsira ime për punë është minimizuar, pa marrur parasyshë vlersimit qytetarë me votë. Sigurisht, duke u përkushtuar dhe punuar me devotshmëri kam krijuar pavarsi financiare dhe intelektuale, rrjedhimisht idetë dhe veprimtaria ime nuk varet asnjëherë nga ndonjë individ apo grup i interesit.

Duke pasur parasyshë pakënaqësitë e mëdha në subjektin AKR, gjithmonë duke u nisur nga mos respektimi i strukturave dhe punës së tyre të palodhshme, unë si individ që nuk pranoj poshtrimin dhe servilizmin, medeomos se do të merrja një vendim!

Të nderuar, duke marrur parasyshë të gjitha arsyet e cekura më lartë, e edhe shumë arsye të tjera për të cilat do të flas koha, kam vendosur të jap dorëheqje nga cdo pozitë në subjektin e AKR-së.

Me kënaqësi ju njoftoj se tash unë do të filloj një rrugëtim të ri politik me subjektin AAK.

E falenderoj kryetarin e AAK-së dhe njëkohësisht kryeministrin e Republikës zt. Ramush Haradinaj për vlerësimin maksimal, kështu ne do të fillojmë një bashkëpunim aktiv për të mirën e gjithëmbarshme. Këtij rrugëtimi timë ju bashkangjitë edhe Kryetari i forumit rinor i nivelit qëndror të AKR-s z.Blerim Kelmendi

Të gjithë juve që bashkëpunuam dhe kontribuam deri sot, ju falenderoj jashtëzakonisht shumë. Vazhdoj të ndjejë respekt të veçant për secilin prej jush.

Të gjithë të pakënaqurit, ju ftoj të bashkangjiteni me mua në rrugëtim të ri, rrugëtim ky që premton shumë!

I juaji, Jetoni.”