Gypat e ujit të pijshëm dhe ujrave të zeza, të vendosura në të njëjtin kanal në Prishtinë.

‘Bashkëjetesa’ e Ujit të Pijshëm dhe Kanalizimit në Një Kanal!

Uji i pijshëm dhe ujërat e zeza janë duke rrjedhur në të njëjtin kanal në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë.

Një banor i kësaj lagje ka raportuar në KALLXO.com rreth këtij problemi.

Banorët thonë se deri më tani nuk kanë kontaktuar Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” por thonë t’ia kenë tërhequr vërejtjen një kompanie që ka bërë punimet në atë kanal.

“Në këtë pusetë rrjedhë uji i pijshëm dhe ujërat e zeza. Shqetësimi ynë është se një ditë ky gyp mund të kriset dhe të bëhet ndotja e ujit të pijshëm për të gjithë lagjen. Disa herë i kemi tërhequr vërejtjen punëtorëve të kompanisë se gypi i ujit duhet të shtrihet anash, prapë se prapë nuk kemi hasur në mirëkuptim”, tha Gazmend Hyseni, banor i lagjes.

Edhe banori tjetër, Enver Hyseni, thotë se është shqetësuar kur ka parë se si janë kryer punimet.

“Nuk po mundem ta kuptoj se si pranohen këto lloj punime të përfunduara, të cilat mund të janë në dëm të qytetarit”, u shpreh Enver Hyseni kur KALLXO.com vizitoi kanalin.

Arjeta Mjeku, zëdhënësja e KUR “Prishtina”, e kontaktuar nga KALLXO.com premtoi se sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, do të merren me këtë problem që tubacioni të zhvendoset nga kjo gjendje e krijuar gjatë ndërtimit të rrjetit të kanalizimit.

“Për këtë rast do të bisedojmë edhe me Drejtorinë për Infrastrukturë të Komunës së Prishtinës, që bashkërisht të gjejmë një zgjidhje lidhur me këtë pozicion të gypit. Në çdo rrugë të kryeqytetit kemi rrjeta të ujit dhe kanalizimit që në shumë raste mund të kryqëzohen, por gjithmonë duhet gjetur zgjidhje teknike që të mos vijë deri të ndërhyrjet siç është rasti në këtë pusetë”, tha Mjeku.

Gypat e ujit të pijshëm dhe ujrave të zeza, të vendosura në të njëjtin kanal në Prishtinë.
Gypat e ujit të pijshëm dhe ujrave të zeza, të vendosura në të njëjtin kanal në Prishtinë.