Basha: Nuk Jam Këtu për Leksione

Ramush Haradinaj Bashën e quajti mik, ndërsa partinë që Basha drejton themel të asaj që Shqipëria është sot.

“E përcjelli me simpati angazhimin e opozitës në Shqipëri në sfidat që ndodhen, çdoherë me dëshirën që këto sfida t’i kalojmë me sukses. Pata mundësinë me informu që edhe ne në Kosovë kemi disa sfida, e disa konteste të hapura politike, po që do ta kemi kujdesin maksimal që t’i tejkalojmë pa bo dame në atë që është mrri me shumë mund,” tha Haradinaj.

Duke e falënderuar për mirëpritjen,  Basha tha se Haradinajn nuk e takon vetëm si kryetar të një partie opozitare, por “edhe si një mik dhe një admirues i veprës dhe sakrificës së familjes Haradinaj”.

“Vij këtu edhe në shenjë respekti dhe vendimi për lidershipin që z. Haradinaj ka demonstruar që nga dita e parë e përfshirjes së tij aktive në politikë,” tha Basha.

Basha uroi që të tejkalohen dallimet pozitë-opozitë në dobi të shtetit të Kosovës.

“Uroj dhe shpresoj që duke bashkuar vullnetet për qëllime të përbashkëta të zgjidhen rrugët më pa kosto, në mënyrë që mos të dëmtohet por ti shërbehet konsolidimit të shtetit të Kosovës”.

Basha tha se nuk është në Kosovë për të dhënë leksione

“Qëllimi i vizitës nuk është as të vijmë të japim leksion, e as të marrim leksion. Është të shkëmbejmë informacionin. Të shkëmbejmë pikëpamjet për situatat politike në funksion të gjetjes së rrugëve të duhura për tu përballur ne sfidat”.

Haradinaj i dhuroi kryetarit Basha hartën e Kosovës me kristalet e vendit.

Basha u takua sot edhe me kryetarin e “Vetëvendosjes” Visar Ymerin dhe drejtuesin e Nismës Fatmir Limajn.

Basha e quajti “Vetëvendosjen” pasuri kombëtare.

“Dua të them pa asnjë dilemë se ‘Vetëvendosja’ pasqyron një pasuri kombëtare si çdo forcë politike e Kosovës dhe Shqipërisë dhe shpreh bindjen se qëllimet që i bashkojnë forcat politike në Kosovë dhe Shqipëri janë në veçanti ato qëllime që kanë të bëjnë me interesin kombëtar,” tha Basha.

Basha-Ymeri
Basha-Ymeri

Ymeri tha se me Bashën folën që Kosova e Shqipëria t’i kontribuojnë kombit pjesë e të cilit janë.

“Patëm rastin t’i këmbejmë idetë dhe konceptet tona, përvojat tona politike e veçanërisht bisedën që e patëm për nevojën dhe domosdoshmërinë që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë të jenë dy shtete të cilat i kontribuojnë një kombi pjesë e të cilit janë,” tha Ymeri.

Në takim me Limajn, Lulzim Basha foli për orientimet e Partisë Demokratike.

“Ne jemi parti e orientuar nga dialogu, nga konsensusi e në veçanti sa u përket interesave themelore kombëtare siç është integriteti territorial dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës,” tha Basha.

Basha-Limaj
Basha-Limaj

Limaj uroi që të vijnë ditë më të mira për politikën shqiptare.

“Shpresoj dhe besoj që edhe për politikën shqiptare edhe për politikën e Kosovës do të vijnë ditë më të mira” [interaction id=”56e1e12e518248f65e6c2347″]