Basha: Nuk e Marrim Gazin si Model

Basha, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë që po viziton sot Kosovën, fjalët për lotsjellësin i tha në një konferencë për gazetarë pas takimit me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin.

“Nuk do ta marrim model gazin dhe nuk mendoj që gazi është modeli për Parlamentin. Parlamenti ka dinamikën e vet dhe në Shqipëri dinamika përcaktohet nga qëndrimet që qeveria ka karshi shtetit ligjor, Kushtetutës, zbatimit të Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe këto janë kërkesat e opozitës,” tha Basha.

Ndërkaq, Kadri Veseli tha se Kosova dhe Shqipëria kanë sfida të përbashkëta dhe sipas tij prioritet i përbashkët i dy vendeve është integrimi në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka çështje që na ndajnë, ka çështje vetëm që na bashkojnë. Ka sfida të cilat janë të përbashkëta përmes të cilave ne synojmë të ecim si vende të pavarura. Po flas për sfidat veçanërisht në përmirësimin ekonomik të situatave të vendit tonë, në të njëjtën kohë edhe avancimet në procesin e integrimeve të cilat i kemi globale. Prioriteti ynë i përbashkët është integrimi në Bashkimin Evropian,” tha Veseli.

Basha, përveç me Veselin u takua sot gjatë ditës edhe me Presidenten Jahjagaa, Kryeministrin Mustafa dhe zëvendësin e tij Thaçi.

http://kallxo.com/nis-takimi-basha-mustafa/

Basha zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ahmeti tha se me Bashën folën për zhvillimet në nivelin lokal dhe nacional.

“Patëm rastin të shkëmbejmë mendimin mbi zhvillimet e fundit qoftë në nivelin lokal në Prishtinë dhe Tiranë, po ashtu edhe në zhvillimet në nivelin nacional edhe në Republikën e Kosovës edhe në Republikën e Shqipërisë,” tha Ahmeti.

Ndërkaq, Basha tha se interesi i tij  për prishtinasit dhe për mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Prishtinës mbetet i njëjti.

Ai i uroi suksese Ahmetit në ekzekutimin e projekteve të tij, në të mirë të qytetarëve të Prishtinës.

“Sigurisht ka aspekte që na bashkojnë si opozita, ka aspekte që na bashkojnë në interesin kombëtar. Unë jam kryetar i opozitës në Shqipëri dhe përfaqësoj qëndrimin e opozitës në Shqipëri, por do të ishte e tepërt dhe e pavërtetë të përfaqësoja edhe qëndrimin e opozitës në Kosovë,” tha Basha duke shtuar se arsyet e qëndrimeve të opozitës në Shqipëri janë të ndryshme.

Sot, Basha do të zhvillojë edhe disa takime.

Ai do të takohet me liderë të opozitës, ndërsa do të bëjë homazhe te memoriali kushtuar Epopesë së UÇK-së dhe Adem Jasharit.

Basha do ta ketë një takim edhe me anëtarë të familjes Jashari.

[interaction id=”56e17f3b518248f65e689403″]