Kushtetuta

Baraliu: Kushtetuta Duhet të Rishkruhet

Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës Mazllum Baraliu tha se akti më i lartë juridik i vendit duhet të rishkruhet.

Në Ditën e Kushtetutës, profesori Mazllum Baraliu e konsideroi me mangësi atë.

Baraliu tha për KALLXO.com se Kushtetuta jo vetëm duhet plotësuar e ndryshuar, por duhet të shkruhet përsëri.

“Të bëhet një Kushtetutë e re e cila do të ishte në përputhje me aspiratat, specifikat dhe perspektivën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Baraliu.

Kjo Kushtetutë sipas Baraliut, përkundër pretendimeve të përpiluesve ndërkombëtarë dhe vendorë se është kushtetutë jashtëzakonisht progresive dhe ndër më demokratiket në botë, nuk doli të jetë e tillë.

Si shembull për mangësitë e Kushtetutëas Baraliu përmendi pamunësinë e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

Baraliu konstatoi se Kushtetuta ka penguar procese si ai i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosdura

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur që parimet e Kushtetutës dhe dispozitat e saj në tërësi t’i realizojmë dhe sendërtojmë praktikisht në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Kushtetutës e cila ka kërkuar që në radhë të parë shteti të jetë sovran tërësisht dhe funksional”, tha Baraliu për KALLXO.com.

Sipas Baraliut, Kushtetuta parasheh “që me referendum të zgjidhen çështje të caktuara dhe me ligj, ndërkohë që Ligji për referendum nuk është nxjerrë dhe asnjë çështje dhe kërkesë e qytetarëve nuk ka arritur që të realizohet përmes një Ligji për referendumin”.

Baraliu tha se edhe nenet 3 e 24 të Kushtetutës së Kosovës që parashohin respektimin e të drejtave të njeriut dhe barazinë e të gjithëve para ligjit nuk kanë arritur në plotni të zbatohen.

Baraliu foli edhe për Asociacionin e Komunave Serbe. Tha se ai e shkel Kushtetutën dhe nuk duhet të krijohet.

“Unë mendoj që asociacioni është në kundërshtim me dispozitat e kësaj Kushtetute meqë po flasim për zbatimin e saj dhe për përbërjen dhe substancën e saj, paraqet një pushtet të ndërmjetëm i cili i jep mundësi dhe fuqi vendimarrëse ekzekutive këtij asociacioni”, tha Baraliu.

Ai konsideroi se qëllimi i Serbisë është prania e saj brenda një pjese të territorit të Kosovës.

“Në fakt këtë qëllim e ka shpërfaqur Serbia dhe eksponentë të saj në veri që në mënyrë të njëanshme duan ta shpallin diku më 25 prill atë asociacion duke tentuar ta krijojnë një Serbi të re në atë asociacion në kuadër të Kosovës dhe duke dashur qe t’i realizojnë qëllimet e tyre”, tha Baraliu.

Më 28 mars përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës u mblodhën në Mitrovicën Veriore, ndërsa paralajmëruan se nëse institucionet kosovare deri më 20 prill nuk nisin përgatitjet për themeliimin e asociacionit, ata do ta krijojnë njëanshëm këtë asociacion.

http://kallxo.com/rakiq-me-20-prill-themelojme-asociacionin/

Baraliu foli për zbatimin e Kushtetutës në ditën kur janë bërë dhjetë vjet nga ratifikimi i saj.

Në dhjetëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, KALLXO.com shkroi për shkeljet që iu bënë asaj.