KQZ - Foto: KALLXO.com

Baraliu: KQZ t’u Kërkojë Falje Kandidatëve për Decertifikimin

Mazllum Baraliu, eksperti i së drejtës kushtetuese, tha sot për KALLXO.com se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’u kërkojë falje 86 kandidatëve për zgjedhjet lokale të 22 qershorit që i decertifikoi më 12 shtator.

Decertifikimi ndodhi për arsyen se këta kandidatë kishin dënime të plotfuqishme të shqiptuara nga gjykatat gjatë tre vjetëve të fundit.

Por Gjykata Supreme me një vendim të saj decertifikimin e kryer nga KQZ-ja e konsideroi në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa sot në një mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve anuloi vendimin e tij për decertifikim, duke i kthyer në garën zgjedhore 86 kandidatët.

Baraliu tha për KALLXO.com se duhet të ketë përgjegjësi individuale dhe objektive nga anëtarët e KQZ-së, ndërsa e cilësoi të drejtë vendimin e Supremes.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë një problematikë e cila është diskutuar në KQZ dhe në opinion publik.

Hoxha tha se vendimi i ri i KQZ-së ka qenë forma e vetme e kthimit në garë të kandidatëve.

Sipas saj, sikur KQZ-ja të mos e merrte një vendim të tillë, kandidatët e decertifikuar që nuk kanë bërë një ankesë brenda afatit ligjor në PZAP dhe Gjykatë Supreme do ta humbnin në tërësi të drejtën e ankesës.

Humbja e kësaj të drejte do ta bënte kthimin e tyre në garë të pamundshëm.

KALLXO.com e kishte siguruar vendimin e Gjykatës Supreme në të cilin thuhej se vendimi i KQZ-së për decertifikim në bazë të nenit 29, paragrafit 1 e pikës q të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bie ndesh me nenin 45 të Kushtetutës në të cilin thuhet se vetëm gjykatat mund të decertifikojnë kandidatët.

http://kallxo.com/supremja-kqz-ja-nuk-e-ka-te-drejten-e-decertifikimit/

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një mbledhje të tij vendosi që të zbatojë vendimin e Supremes duke i kthyer në garë të decertifikuarit dhe duke hequr prej saj zëvendësuesit e tyre.

Megjithatë, gjatë mbledhjes, anëtarët e KQZ-së Betim Gjoshi, Sami Hamiti dhe Ilir Gashi thanë se nuk është Gjykata Supreme por Gjykata Kushtetuese që e vlerëson kushtetutshmërinë e akteve juridike.

Deklarata më ashpër në lidhje me vendimin e Supremes erdhi nga Betim Gjoshi, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ.

“Këtë ven po e shkatërrojnë juristat që e lexojnë veç një nen”, tha Gjoshi.

KQZ Rikthen në Garë Kandidatët e Decertifikuar