Beteja për tokat e privatizuara nga AKP - Foto: KALLXO.com

Banorët Pengojnë Blerësit e Pronës së Shitur nga AKP

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi të gjeturat e një hulumtimi për vendimin e familjes Hoti nga fshati Resnik i Klinës për të marrë ligjin në dorën dhe për të penguar vëllezërit e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit dhe dy bashkëfshatarëve të tij, për t’u futur në pronat e privatizuara.

Si rezultat i një procesi konkurrues në valën e 59-të Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e shiti pronën e ndërmarrjes “Malishgan” prej 117 hektarësh për 164 mijë e 850 euro apo thënë më mirë një ar tokë u shit për 14 euro.

Blerësit e kësaj prone dolën të jenë kompania “Mirusha”, e cila në regjistrin e ARBK figuron të jetë pronë e vëllezërve të Sylejman Selimit.

Por, pronarët e rinj u përballën me një problem kur tentuan të shkonin në pronat e blera nga shteti.

Familja Hoti nga Resniku pretendon se kjo pronë është e saj dhe se nuk do ta lëshojë.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit prona ishte blerë nga Mentor Selimi, por në regjistra figurojnë edhe dy aksionarë të tjerë.

Ahmet Haxha, i cili është një nga 3 aksionarët në atë pronë, tha për emisionin “Drejtësia në Kosovë“ se me banorët nuk kanë kurrfarë problemi dhe se janë duke e pritur vendimin e Gjykatës.

“Unë aty kam 48 hektarë e gjysmë qysh ka edhe Mentori ndërsa Avnia ka 20 hektarë. Unë disa herë jam takuar me banorët sepse njihemi personalisht. Pretendimet e tyre se u takon ajo pronë ose jo do e zgjidhë Gjykata mirëpo ne nuk po mund ta shfrytëzojmë atë”, tha Haxha.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë“ ka kontaktuar edhe me Avni Haxhën, aksionarin tjetër, i cili ka privatizuar 20 hektarë tokë në fshatin Resnik.

“Unë e kam ble nga Mentori pronën, me ata banorët s’kemi asnjë problem, po presim me përfundu procesi gjyqësor”, theksoi Haxha.

Ekipi i misionit ishte takuar edhe me Mentor Selimin, vëllain e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimit. Ai tha se pronën e ka blerë me dy bashkëfshatarët e tij, Ahmet Haxhën dhe Avni Haxhën, por që ka konkurruar i vetëm për shkak se AKP-ë kërkon vetëm një emër.

Selimi nuk ka dashur të flasë para kamerës por kishte kthyer përgjigje me shkrim.

“Mirusha  Company SHPK (ish NNT Mirusha Transprt shpk) me pronar Selman Selimi, Fidan Selimi dhe Mentor Selimi ka dorëzuar ofertë për blerjen e Ndërmarrjes bujqësore Dush 2 (në fshatin Resnik te komunës se Klinës) të shpallur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ne valën e 59 të privatizimit. Oferta jonë ka qenë në vlerë prej 164.850,00 euro dhe duke qenë çmimi më i lartë i ofruar për këtë aset, jemi shpallur fitues. Mjetet financiare për pagesën e çmimit të shitblerjes janë siguruar nga afarizmi i ndërmarrjes Mirusha Company shpk”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie, e cila gjithashtu ka treguar që asnjëherë nuk e kanë shfrytëzuar pronën.

“Me këtë rast, neve (përkatësisht Mentor Selimi) kemi informuar Policinë, e cila ka ardhë në vendin e ngjarjes, ka marrë deklaratat nga ne dhe banorët lokalë dhe disa prej tyre i ka shoqëruar në stacionin policor në Klinë. Pasi që ne edhe më tutje jemi penguar për të shfrytëzuar pronën tonë të blerë, kemi qenë të detyruar të ngrisim padi në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Klinë, dhe pas disa seancave gjyqësore me datën 27.03.2017 kemi marrë një aktgjykim me të cilin shpallen fajtorë banorët uzurpatorë të pronës”, thuhet më tutje në përgjigje.

4 anëtarë të familjes Hoti ishin akuzuar nga Prokuroria në Pejë për shkak se kanë penguar pronarin e ri që t’i vendos pikat në pronën e privatizuar.

Deklaratat e familjes Hoti se si i penguan blerësit të hynin në pronën që ata pretendojnë se është e tyre mund t’i ndiqni në linkun e mëposhtëm.