Banorët nuk e Duan Shkollën që u Zë Hapësirën

Në Fushë- Kosovë në një pronë komunale ka nisur të ndërtohet paralelja e ndarë e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Mihal Grameno”.

Por banorët e Kompleksit Banesor 300 pranë kësaj prone po e kundërshtojnë ndërtimin me pretekstin se objekti do t’ua zë hapësirën.

Veton Jusufi, banor i këtij kompleksi thotë se është nënshkruar një peticion kundër lokacionit të përcaktuar të shkollës.

“Shkolla ka filluar të ndërtohet, por nuk është lokacioni i duhur. Arsye të shumta ka, hapësira dhe shumë të tjera që ka me kundërshtu. Ne e kemi edhe peticionin me të cilin jemi t’u e kundërshtu këtë shkollë. Nuk jemi kundër shkollës se gjithkush don të shkollohet dhe do dije, por në këtë mënyrë jo, sepse lokacioni e mbyll krejt këtë hapësirë. Nëse bëhet shkolla këtu, atëherë ne veç duhet me i shit banesat, sepse e zënë hapësirën këtu”, tha Jusufi.

Ndërsa Ahmet Aliahmeti jep një arsye tjetër pse objekti shkollor nuk duhet të ndërtohet pranë kompleksit ku jeton.

“ Është bërë një befasi e padijshme për ne. Rastësisht kur ka filluar me e rrethu kemi kuptuar se qenka planifikuar të bëhet shkolla këtu në një hapësirë që si plotëson as kushtet minimale për një ndërtesë të thjeshtë dhe jo për shkollë ku fëmijët donë hapësirë edhe në klasë brenda, por edhe jashtë klasës me pasw oborr për rekreacion, për lojë, për zhvillime të ndryshme të aktiviteteve të tyre”, tha Aliahmeti.

Zyrtari për Informim në Komunën e Fushë- Kosovës Ali Topalli për KALLXO.com tregoi arsyet pse është caktuar ky vend për shkollën, ndërsa bëri të ditur se punimet do të vazhdojnë.

“ Ne nuk qëndrojmë mirë me prona publike dhe aty është një pjesë apo zonë ku ne mund ta kemi në dispozicion dhe ta ndërtojmë shkollën. Nuk e di mund të jetë shqetësim i qytetarëve, por megjithatë unë do të thoja që do të ishte mirë të ishte e kundërta e saj dhe të gëzohemi që të kemi shkollë afër, sepse nuk paraqet ndonjë pengesë në lirinë e lëvizjes së këtyre qytetarëve që banojnë aty”, tha zëdhënësi Topalli.

Topalli tha se banorët e kësaj lagjeje kanë hapësirë gjelbëruese të mjaftueshme, ndërsa pjesa ku është caktuar ndërtimi i shkollës, nuk është shfrytëzuar  nga fëmijët apo të moshuarit, sepse komuna nuk ka investuar aty.

Objekti shkollor do të jetë i tipit të mbyllur me sipërfaqe prej 850 metra katrorë. Ky objekt do t’i ketë 17 klasë, ndërsa vlera e ndërtimit është 146 mijë euro.