Disa prej banorëve thyen dyert për të hyrë në banesat që i shfrytëzojnë qe 17 vjet – Foto: KALLXO.com

Banorët Kthehen në Banesat nga të Cilat u Dëbuan

Disa prej familjeve që të hënën u nxorën me forcë nga banesat në të cilat jetonin që prej 17 vjetësh në lagjen “Dardania” të kryeqytetit janë kthyer sërish rreth mesnatës pak kohë pasi nga aty janë larguar zyrtarët policorë.

Gjatë ditës, Policia ka nxjerrë nga banesat 6 familje, të cilat i mbanin të uzurpuara këto banesa që nga paslufta.

Banorët e objektit të banimit, të cilin ish-regjimi e kishte lënë të papërfunduar, janë përleshur me policët, me ç’rast së paku dy banorë dhe një polic kishin pranuar tretman mjekësor.

Njëri prej banorëve, Fehmi Morina, tha për KALLXO.com se janë kthyer te banesat e tyre dikush për t’i ruajtur gjësendet që i kanë në oborr, dikush për të pritur që t’u kthehen familjarët nga spitalet ku janë dërguar për shkak të lëndimeve të pësuara.

Morina tha se edhe vetë ka pranuar tretman mjekësor pasi prej sasisë së madhe të sprejit që ia ka hedhur policia është alivanosur.

“Kemi njerëz të lënduar, me trauma, e pa vetëdije. Në ora 21:00 në këtë hyrje një fëmijë prej traumave bjen poshtë mu në prezencën e 300 qytetarëve dhe policisë”, tha ai.

Fehmi Morina thotë se më 22 shtator do të nxirren jashtë edhe 6 familje, e më 26 edhe 6 të tjera.

Të hënën pasdite përmes një komunikate Policia ka njoftuar se aksioni i saj ishte ofrim i asistencës në ekzekutimin e një aktvendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

http://kallxo.com/policia-jep-sqarim-rreth-lirimit-te-banesave-te-uzurpuara/

KALLXO.com raportoi të hënën për përleshjen mes banorëve që kundërshtonin dëbimin e tyre dhe policëve që po ofronin asistencë në zbatimin e një aktvendimi të Gjykatës së Prishtinës.

http://kallxo.com/policia-nxjerr-me-force-banoret-nga-banesat-e-uzurpuara/