Banorët e Sllatinës Kërkojnë Trotuare

Banorët e Sllatinës së Vogël të Fushë-Kosovës kërkojnë rregullimin e trotuareve për t’iu shmangur rrezikut nga veturat.

Në këtë fshat ekziston një trotuar i dëmtuar, por sipas banorëve ai nuk ofron siguri.

Enver Sogojeva nga Sllatina e Vogël thotë se trotuari është dëmtuar para një dekade dhe nuk është rregulluar më.

“Po sigurisht prej 10 viteve është ky trotuar që e kanë dëmtuar, nuk e di saktë, ama e di që është dëmtu”, tha Sogojeva për KALLXO.com.

Për trotuaret që nuk po rregullohen në Sllatinë, u ankua në KALLXO.com një banor i këtushëm.

Burim Gashi, një banor tjetër i Sllatinës së Vogël, tha se i dërgon me veturë fëmijët në shkollë, në mënyrë që ata të mos rrezikohen duke ecur këmbë, në rrugën ku makinat, sipas tij, lëvizin me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë.

“Edhe unë dy fëmijë i kam edhe vinë këtu në shkollë, unë vetë i bi me kerr se nesër me bo me ma shkel mu naj fmi kerri, kush merr përgjegjësi, kujna me ju drejtu”, thotë Gashi.

Kryetari i Fushë-Kosovës Burim Berisha premtoi për KALLXO.com rregullimin e trotuarëve në Sllatinë të Vogël gjatë 2017-ës.

“Në Sllatinën e Vogël është një trotuar i vjetër i cili është prishur i cili është i planifikuar të bëhet për 2017. Këtë vit do të rregullohet trotuari në rrugën rajonale, në Sllatinën e Madhe e cila të dërgon për Pejë, do të rregullohet edhe me mbrojtëse për shkak të trafikut të dendur”, tha Berisha.

Berisha tregoi se për trotuare do të jenë të parapara 200 mijë euro për rreth 20 mijë metra katrorë, ndërsa sipas tij projekti i rregullimit të trotuarëve është katërvjeçar.

Rruga në Sllatinë të Vogël lidh fshtrat Bardh i Madh, Bardh i Vogël, Grabovc, e disa fshatra tjerë me Magjistralen Prishtinë-Pejë.