Protesta e rugovasve - Foto: KALLXO.com

Banorët e Rugovës protestojnë kundër vendosjes së laurave - FOTO

Fillimi i ndërtimit të një laure në Grykën e Rugovës ka revoltuar banorët e 14 fshatrave të kësaj zone.

Banorët po ankohen se për vendosjen e kësaj laure, e cila po ndërtohet në kilometrin e tretë të Grykës së Rugovës, nuk ka pasur diskutim publik.

Sot dhjetëra qytetarë kanë protestuar në qendër të Pejës kundër vendosjes së kësaj laure.

Agron Nikçi tha se vendosja e laurës pengon zhvillimin dhe jetën normale të banorëve.

“Të gjithë kryetarët e fshatrave të Rugovës dhe gjithë komuniteti i Rugovës janë kundër barrierave të zhvillimit të Rugovës dhe kundër atyre barrierave, të cilat e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në atë pjesë”, tha Nikçi.

Ndërsa, aktivisti nga organizata “Syri i Vizionit”, Veton Mujaj, tha se çdo proces i cili shkon pa debat publik duhet të ndalohet.

“Rampa në Rugovë nuk duhet të vendoset, shoqëria civile në Kosovë është në përkrahje të qytetarëve të Kosovës për të ndaluar çdo proces, i cili shkon pa konsultime. Komuna e Pejës duhet të jetë e vëmendshme, të mbledhë zërin e këtyre qytetarëve dhe ta vendosë në dokument”, tha Mujaj.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me vendosjen e laurave në zonat turistike.

Fatmir Morina, drejtor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, përmes një e-maili ka thënë se vendosja e laurave është projekt i Ministrisë,  përkatësisht i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Ai tha se do të ndërtohen 7 objekte me laura në Rugovë, Deçan , Lloqan, Junik dhe tri në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Sipas Morinës vendosja e laurave ka të bëjë me mbrojtjen e resurseve natyrore si prerja e pyjeve, ndërtimet dhe degradimet tjera.

Sipas tij, banorët dhe pronarët e paluajtshmërive në Rugovë nuk do të paguajnë taksë.

“Gjithçka rreth taksës do të vendoset me komunitetin dhe pa marrjen e pëlqimit edhe nga ta nuk do të ketë taksë. Edhe nëse do të aplikojmë një ditë taksë të gjithë pronarët e paluajtshmërisë, banorët e Rugovës me rrethinë në bazë të Rregullores për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare janë të liruar nga pagesa e taksës”, tha Fatmir Morina, drejtor i Parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna”.