Banorët e Qyshkut Ankohen për Asfaltim Partiak të Rrugëve

Disa banorë të fshatit Qyshk të Pejës thonë se rrugët aty po asfaltohen në bazë të përkatësisë partiake të banorëve.

Këta banorë janë ankuar në KALLXO.com se Komuna e Pejës militantëve të partisë në pushtet ua rregulloi rrugët deri në derë të shtëpisë, ndërsa të tjerët po i lë në baltë.

Dionis Lushi, banor i Qyshkut thotë se komuna ka “harruar” dy rrugët e fshatit që shkojnë prej tyrbes te shkolla.

“Tani po bëhen dallime të ndryshme duke u shtruar lagje të ndryshme dhe duke u lënë rrugët kryesore. Domethënë, mund të shtrohet rruga deri tek hyrja e shtëpisë personave të cilët janë liderë të partive të ndryshme, është lënë një rrugë e cila është kryesore dhe kyçe. Dy rrugët prej që thojmë na tyrbes tek shkolla ku vijojnë mësimet, ka edhe rrugë tjera që nuk janë shtruar,” thotë Lushi për KALLXO.com .

Albert Sutaj, një banor tjetër i Qyshkut thotë se rruga ku e ka shtëpinë nuk i është asfaltuar vetëm pse nuk është anëtar i LDK-së.

“Disa diskriminime që i ka bërë komuna e Pejës, ku i ka shtruar rrugë edhe ka qitë kanalizime në baza partiake. Si për shembull disa rrugë, disa njerëzve  ju ka shtruar me oborre, ka serrat, ose dikujt ja ka shtuar( asfalt)  deri tek garazha, po disa që nuk janë LDK nuk ju ka shtru hiç, as nuk ju ka qit kanalizimin. Pe boj shembull lagjen time- është shpërnda kanalizimi komplet i lagjes edhe është asfaltuar rruga, përpos ne tri familje që jem nuk na është shtruar as rruga, as kanalizimi,” tha Sutaj për KALLXO.com.

Por zëdhënësi i Komunës së Pejës Engelbert Zefaj mohoi se rrugët në Qyshk po shtrohen në baza partiake.

“Nuk është e vërtetë (për akuzat e banorëve), janë shtuar ato rrugë që janë vlerësuar me rëndësi më të madhe për zonën. Ketë vit vazhdohet me asfaltimin e rrugëve të mbetura,” tha Zefaj për KALLXO.com.