Lumbardhi në Pejë

Banorët e Pejës shtynë komisionin të ndërpresë punën e grupit operacional për hidrocentralin në Lumbardh

Shqetësimet e banorëve të Pejës shtyjnë Komisionin ndërministror të pezullojë punën e grupit operacional për vazhdimin e procedurave për investitorin strategjik, kompania “Kelkos”.

Komisioni ndërministror unanimisht sot ka pezulluar e këtij grupi për vazhdimin e procedurave për dhënien e statusit të investitorit strategjik.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, njëherësh edhe kryesues i këtij komisioni përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar për këtë pezullim.

Ai ka shkruar se ky vendim ka ardhur pas shqetësimit të qytetarëve dhe me kërkesë të Komunës së Pejës.

“Duke u bazuar në shqetësimin e qytetarëve dhe me kërkesë të Komunës së Pejës, në Komitetin Ndërministror për Investime Strategjike është votuar unanimisht që të pezullohet përkohshëm puna e Grupit Operacional, që ka për obligim ligjor ta shqyrtojë teknikisht aplikacionin e investitorit potencial strategjik.  Komisioni ka vendosur që për shkak të shqetësimeve i duhet kohë shtesë që të konsultojë të gjitha palët e përfshira, duke e marrë për bazë edhe investitorin “Kelkos”, ka shkruar Shala.

Gjithashtu, edhe ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se është pezulluar puna e komisionit me kërkesë të Komunë së Pejës dhe protestave të qytetarëve.

“Po është pezulluar puna e grupit operacional, do t’i rishikojmë kërkesat dhe shqetësimet e kryetarit të Pejës dhe pastaj do të vazhdojmë me procedurat e mëtutjeshme, statusi i investitorit strategjik nuk i është marrë kompanisë “Kelkos”, pasi atë status asnjëherë nuk e ka pasur”, ka thënë Matoshi.

Sipas ligjit për investime strategjike, ky grup operacional është përgjegjës për të mbështetur profesionalisht Agjencinë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në ndjekjen e të gjitha procedurave dhe përgatitjen e të gjitha dokumenteve ligjore, me qëllim përgatitje dhe realizimin e projektit investues strategjik.

Gjithashtu, ky grup operacional dhe Agjencia për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve përcjellë kërkesat e subjektit investues që ka përfituar statusin investim strategjik, për marrjen e licencave, lejeve dhe autorizimeve pranë institucioneve publike, kompetente për lëshimin e këtyre dokumenteve ligjore, brenda pesë (5) ditë pune nga data e paraqitjes së kërkesës. Data e paraqitjes së kërkesës në kuptim të këtij neni është data e pranimit të të gjitha dokumenteve që nevojiten për marrjen e licencave, lejeve dhe autorizimeve nga Agjencia për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve. Nëse disa dokumente janë parashtruar në data të ndryshme, si datë e paraqitjes konsiderohet data në të cilën është pranuar dokumenti i fundit.