Banorët e lirojnë rrugën pasi morën premtime nga drejtori i Agim Bahtirit - VIDEO

Rruga ‘Isak Ibrahimi’ në fshatin Kçiq i Vogël të Mitrovicës ka qenë e bllokuar për dy orë të tëra.

Banorët e kishin bllokuar rrugën në shenjë revolte për gjendjen e keqe të saj.

Ata që nga ora 08:00 e mëngjesit e kishin bllokuar duke i pamundësuar Policisë së Kosovës të shkojnë në poligonin e qitjes në Cernushë.

Kjo rrugë përveç banorëve u shërben dhe Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë  së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it të cilët çdo ditë e përdorin poligonin e qitjes.

Banorët hallin e tyre ua treguan Policisë së Kosovës dhe arsyen pse e kishin bllokuar rrugën.

Sadik Syla përfaqësuesi i banorëve protestues u tha policisë se janë detyruar ta bllokojnë rrugën pasi që kërkesat e tyre drejtuar komunës së Mitrovicës kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Çdo qeverisje që ka qenë unë kam qenë e kam kërkuar këtë rrugë mu shtru. Kjo rrugë është më e vështirësuara në këto 3 fshatra, këtë rrugë ju i mbani trajnimet çdo ditë, FSK çdo ditë, dhe ne i kemi 40 nxënës që e vijojnë mësimin kësaj rrugë”, tha Syla.

Syla dhe banorët e tjerë janë kujdesur që drejtorit të Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Naser Muja, t’ia kujtojnë premtimet e tij për këtë rrugë.

“Vitin e kaluar na ka thënë mos dilni në rrugë shkoni të shtëpia me pranverë kjo rrugë do të shtrohet”, theksoi Syla.

Naser Muja, drejtori i Komunës së Mitrovicës u ka premtuar banorëve që rruga brenda dy muajve do të shtrohet.

“Brenda këtij 60 ditëshi ka me u kry rruga, zotona para protestuesve se qysh të kam thënë edhe vitin e kaluar dhe e kam përsëritur edhe të premten prapë po e them se kjo rrugë ko me u shtrua me asfalt”, tha Muja.

Ai tha se plani për këtë vit është që kjo rrugë të shtrohet vetëm deri te banorët, e jo deri në poligonin e qitjes.

Rruga u lirua pas premtimit të drejtorit Muja, mirëpo banorët kanë thënë së nëse komuna e Mitrovicës nuk e mban premtimin dhe brenda dy muajve nuk e shtron rrugën e tyre ata do ta bllokojnë rrugën magjistrale Prishtinë Mitrovicë.