Banorët e Kusarit kundër shkatërrimit të natyrës nga gurëthyesit - VIDEO

Banorët e fshatit Kusar të Gjakovës po kundërshtojnë shkatërrimin e natyrës në këtë fshat nga kompanitë e gurëthyesve.

Sipas tyre në muajin maj kompania “Alko-H&S”, pasi ishte pajisur me pëlqime nga komuna e Gjakovës dhe Ministria e Mjedisit dhe kishte marrë lejen nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kishte filluar ndërtimin e gurthyesit në këtë fshat.

Pashkë Domgjoni tregon se kompania për të hapur rrugën për të ndërtuar gurthyesin, gjatë punimeve ka shkatërruar disa varre të vjetra më shumë se 500 vjet të “kryçve”, siç i quajnë banorët e zonës.

“Këto varreza unë i mbërrij, pleqtë që e kanë kry ushtrinë në kohën e turkut dhe nuk e dijmë se që kur janë këto. Këto quhen ‘varret e kryçve’, e për të vjetra këto kanë 500 vjet e për tej”, thotë ai.

Zyrtarët e Ministrisë së Ambientit i kanë thënë KALLXO.com se kanë kërkuar që pëlqimet që I janë dhënë kompanisë për ndërtimin e gurëthyesit t`i tërhiqen.

“Jemi në teren, ku inspektorët kanë shku në vendin e ngjarjes dhe ia ndalojnë kompanisë çdo aktivitet punues, ndërsa ai ka të drejtë ankese, pasi i ka të gjitha dokumentet”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, dokumenti që e ka lëshuar komuna e Gjakovës, ishte i vlefshëm që kompania në fjalë t’i merr edhe pëlqimet nga institucionet e tjera.

Përfaqësuesi i fshatit Kusar, Kristë Gjoka, ka thënë se banorët e fshatit nuk kanë qenë farë të njoftuar se kompania do të ndërtojë gurthyesin aty, dhe se e kanë kuptuar vetëm pasi kanë filluar punimet.

“Kompania pasi ka filluar punën, pas dy ditëve e kemi marrë vesh që është në pyetje gurëthyesi dhe ne ju kemi drejtu me kërkesë Kuvendit Komunal, kryesisht kryetarit të Komunës, do të thotë i kemi kërku sqarim në lidhje me këtë, sepse kemi pasur informacione edhe më të hershme por edhe masandej që kjo zonë, që e përfshinë kadastrin Pjetërshan, që i përfshin pesë fshatra, është zonë e shpallur për zhvillimin e turizmit dhe rekreacion, domethënë dhe pyllëzim”, thotë ai.

Kurse kompania “Alko H&S, për KALLXO.com, nëpërmjet emali-it kanë dhënë përgjigje të shkurtë, duke thënë se pas tërheqjes së pëlqimeve nga komuna e Gjakovës dhe Ministria e Mjedisit, kompania do t’i ndjekë procedurat ligjore të Republikës së Kosovës.

Fshati Kusar i cili gjendet rreth 5 kilometra larg qytetit të Gjakovës, është shpallur zonë me interes të zhvillimit turistik, pasi përveç peizazhit të bukur, në këtë fshat gjenden dhe disa shpella natyrore.