Banorët e Kaçanikut kërkojnë që Bechtel-Enka të rregullojë rrugën e dëmtuar

Banorët e dhjetë fshatrave të Kaçanikut janë mbledhur sot në shenjë pakënaqësie për shkak të mosrregullimit të rrugës Fusha e Pajtimit- Bazhdarhane, e cila sipas tyre, është dëmtuar nga makineritë e kompanisë “Bechtel-Enka”.

Ata kanë bllokuar rrugën në Doganaj të Kaçanikut për qarkullimin e automjeteve të kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila është duke punuar në autostradën ‘Arbën Xhaferi’.

Banorët po kërkojnë që rruga të asfaltohet e jo vetëm të sanohet në disa pjesë.

Hetem Lama, banor i fshatit Vataj tha për KALLXO.com se pas disa kërkesash rruga për të cilën po protestojnë ka filluar të sanohet nga kompania në fjalë por nuk janë të kënaqur me punën e tyre.

“Ne po kërkojmë që rruga të cilën e kanë dëmtu tash e tri vjet kompania ‘Bechtel Enka’ ta rregullojë. Kanë ardhë dje e pardje e m’i mbulu gropat, katastrofë. Na jua kemi ndalë punimet se nuk kemi dashtë me shtru ashtu. Dojmë me shtru asfalt prej fillimit se është krejt e dëmtuar”, u shpreh ai.

Lama thotë se kanë protestuar për më shumë së një orë derisa Policia i kishte shpërndarë.

Protestuesit janë nga fshatrat Semajë, Duraj, Gabrricë, Gërlicë, Elezaj, Bajnicë, Doganaj, Koxhaj, Soponicë dhe Vatë e Epërme të komunës së Kaçanikut.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një sqarim nga kompania “Bechtel-Enka”, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Kujtojmë se autostrada ‘Arbën Xhaferi’ e cila po ndërtohet nga kompania turke “Bechtel-Enka” pritet të përurohet më 29 maj.