Protesta e banorëve të Hades. Foto: Kallxo.com

Banorët e Hades Protestojnë, Kërkojnë Zhvendosje

Banorët e fshatit Hade të Komunës së Obiliqit edhe sot protestuan për të shprehur pakënaqësitë ndaj vonesës në procesin e zhvendosjes.

Ata thanë se janë duke u anashkaluar dhe se Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendime për zhvendosjen e tyre.

Ragip Grajqevci, banor i fshatit Hade, tha Qeveria e Kosovës duhet të punojë dhe të vendosë për fatin e zhvendosjes së banorëve të Hades në fshatin Shkabaj.

“Topi është te qeveria, nëse qeveria nuk e merr përsipër zhvendosjen e banorëve atëherë mbetet Hadja edhe 40 vjet qendër mos me u zhvendosë”, tha Grajqevci.

Ai tregoi se qe shumë vjet po marrin premtime për shpronësim.

“Boll kemi dhanë toka që prej 2004. Na kanë premtuar që keni më u shpronësuar por na kanë rrejtë. Ta shohim tash a po na rrejnë se jetë në këtë fshat nuk ka. Jemi të rrethekuar me ekskavatorë me qymyr, me bagera të rëndë me pluhur, qymyr edhe shumë gjëra të tjera të këqija”, tha ai.

Shaban Preniqi, banor tjetër i fshatit Hade, tha se KEK-u ende operon në tokat e banorëve të Hades.

“Tash kemi mbet pa tokë, pa kurrgjë. Në 2005 janë bërë regjistrimet e shpijave edhe të kësaj pjese por i kanë lanë edhe kanë shku tjetërkah”, tha ai.

Ai shtoi se nuk do të lejojnë që KEK-u t’u marrë tokat banorëve dhe këta të fundit të mbesin pa asgjë.

“Tokat është tu i marrë përditë e fshati Hade ka mbetë pa toka. Ne nuk e lejojmë këtë me na marrë KEK-u tokat e me mbetë na pa toka. Kurrfare kushte s’ ka, as shkolla, as nxënës, as rrugë, tym, zhurmë, në këtë fshat nuk mundesh me jetu as 24 orë”, tha ai.

Për situatën në fshatin Hade banorët thonë se do të ngrisin zërin edhe në protestat e ardhshme.

Kjo nuk është hera e parë që këta banorë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për këtë çështje.

Çështja e shpronësimit të fshatit Hade dhe detaje të tjera rreth projektit për ndërtimin termocentralit “Kosova e Re” u trajtuan në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për protestat dhe parregullsitë që janë bërë për shpronësimin e fshatit Hade.

http://kallxo.com/banoret-e-hades-i-bijne-ne-dere-ministrise-se-mjedisit/

http://kallxo.com/haradinaj-kerkon-moslejim-te-ndertimeve-ne-zonat-qe-po-shpronesohen/