Banorët e fshatit Nikaj protestojnë, kërkojnë rrugë alternative nga Ministria e Infrastukturës

Më pankarta “Mos na i mbyllni rrugët”, “Rrugët egzistuese nuk lejojmë t`i mbyllni”, kanë protestuar sot banorët e fshatit Nikaj të Kaçanikut për shkak së ndërtimi i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ ka ndarë fshatin në dy pjesë e që sipas tyre, po u paraqet shumë probleme.

Protestuesit kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Shkup, duke kërkuar zgjidhje nga Ministria e Infrastukturës dhe Transportit.

Në këtë protestë për të ruajtur rendin dhe qetësinë ka dalur edhe Policia.

 

KALLXO.com raportoi të martën se banorët e fshatit Nikaj në Kaçanik kanë paralajmëruar protestë për të mërkurën.

Labinot Guri, njëri nga protestuesit tha për KALLXO.com se kërkojnë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit një rrugë alternative në këtë fshat.

Guri thotë se kanë një vit që kanë paraqitur kërkesë nga MIT për ketë rrugë, por që sipas tij, nuk është ndërmarr asgjë.

“Problemi është që prej kur ka filluar ndërtimi i autostradës për Shkup, e ka ndarë fshatin në dy pjesë. Rruga lidhëse që u kanë ajo është mbyllë për shkak të autostradës. Përmes kësaj rruge ne i punojmë arat, gjithashtu edhe tash një numër i madh i nxënëseve po barten me kombi me çmim prej 20 euro, gjë e cila është e përballueshme për familjarët”, u shpreh ai.

Projekti i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ është kritikuar mjaft për vonesat në punime dhe gjoba 53 milionëshe që ju pagua nga buxheti i shtetit kompanisë punëkryese ‘Bechtel-Enka’.

Kjo autostradë ishte paraparë që të përfundojë në fund të vitit që lamë pas.

https://kallxo.com/banoret-e-fshatit-nikaj-paralajmerojne-proteste-per-neser/

.