Foto: Kallxo.com

Banorët e Drenocit ankohen për punimet në rrugën e fshatit

Banorët e fshatit Drenoc të komunës së Klinës janë ankuar për punimet e rrugës të cilat po i bën komuna e Klinës.

Milaim Agushi, njëri nga fshatarët tha se rruga e cila po shtrohet, në disa vende është shumë e ngushtë dhe e dobët.

“Kemi një problem të madh pasi kompania “Ndërtimi” është duke e punuar një rrugë të dobët, e në disa vende të ngushtë, po ashtu muri i cili është ndërtuar është shumë i dobët pasi që ka një sasi të vogël të armaturës, nuk e dimë si do të qëndroj ai mur “, tha Agushi.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e komunës së Klinës, i cili tha se edhe komuna është e pakënaqur me punimet.

“Ne jemi vet të pakënaqur me procedurat, e kemi organin mbikëqyrës që nuk e ka pranuar vendosjen e betonit në murin mbrojtës pasi që nuk ka qenë konform kërkesave. Ne i kemi dhënë vërejtjet tona, vet e kam vizituar vendpunishten, jemi taku me qytetaret dhe është vetëm fillimi i punës. Puna do të kryhet konform kontratës”, tha kryetari Elezaj.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e kompanisë që po i kryen punët, “Ndërtimi “, i cili tha se kompania ka kryer më shumë punë se që ka qenë e kontraktuar.

“Ne po shkojmë në bazë të projektit. Projekti është ashtu, është projekt i dobët se nuk ka ma shumë para komuna. Ne kemi ba punë më shumë se në projekt, se në projekt ka qenë paraparë rruga 3 metra ne e kemi ba 5 metra. Aty ku nuk kemi pasë pengesa nga fshatarët e kemi ba rrugën 5 metra”, tha përfaqësuesi i kompanisë “ Ndertimi “, Qaush Berisha.