Protesta në Pejë - Foto: KALLXO.com

Banorët e 7 fshatrave të Pejës protestojnë kundër materieve kimike në zonën e banimit

Banorë të shtatë fshatrave të Pejës kanë protestuar sot kundër vendosjes së 53 fuçive nga kompania “Swiss Oil” në lokalet e ish-kombinatit të lëkurë-këpucëve në Poçestë.

Banorët pretendojnë se fuçitë kanë materiale të rrezikshme dhe është ndërruar lokacioni ku ato duhet të vendoseshin.

Naim Bytyqi, organizator i protestuesve të fshatit Poçestë, thotë për KALLXO.com se kompania e derivateve “Swiss Oil”, ka sjellë 53 fuçi në filialin e ish-kombinatit të lëkurë-këpucëve në Poçestë, për të cilat dyshojnë se përmbajnë materie të rrezikshme.

Protesta në Pejë – Foto: KALLXO.com

“Ne kemi nevojë me sqaru këtë problem, pse është kjo mospërputhje, që t’ia sqarojmë edhe popullatës. Numri i cili është në dokumentin e Ministrisë është kjo zonë këtu, e cila gjendet afër lagjes Bërdynaj në Radavc, rruga e Rozhajës”, ka thënë ai.

Nikollë Krasniqi, banor i zonës, thotë se kanë kërkuar sqarime për përmbajtjen e fuçive por nuk kanë marrë përgjigje.

“Dëshira jonë është mos me ekzistu këto fare këtu hiç. Pa marrë parasysh se çka përmbajnë. Kërkesa e dytë është që me na dhanë një informatë më të saktë, zyrtare, se çka përmbajnë këto kemikale dhe sa janë të rrezikshme për banorët tanë”, ka thënë ai.

Protesta në Pejë – Foto: KALLXO.com

Probleme me fuçitë kanë edhe banorët serbë të Gorazhdevcit.

Millosh Dimitrijeviq, përfaqësues i fshatit Gorazhdevc, ka thënë për KALLXO.com se banorët nuk janë informuar rreth përmbajtjes së këtyre fuçive, por që me vetiniciativë kanë zbuluar se bëhet fjalë për materie të rrezikshme.

“Vendndodhja për këto materiale të dëmshme duhet të jetë rreth 20 kilometra larg nga këtu ku është tash”, thotë Dimitrijeviq.

Pronari i kompanisë “Swiss Oil”, Nezajim Shala ka thënë për KALLXO.com se KFOR-i dhe FSK-ja janë duke e bërë zhvendosjen e këtyre fuçive nga objekti i ish-kombinatit të këpucëve, i cili është në pronësi të tijën.

Protesta në Pejë – Foto: KALLXO.com

Ai thotë se ka qenë kërkesë e KFOR-it që Shala të gjejë një objekt tjetër për zhvendosjen e tyre.

“Nuk janë kemikale, janë mbetje nga ngjyrat yndyrore, tretës, kripëra, regjje të lëkurave edhe mbetje nga fabrika e këpucëve në Pejë. KFOR edhe FSK çdo muaj vijnë e kontrollojnë, e kanë bërë inspektimin. Janë 100 bure. Bashkësia Europiane i ka nda 13 milionë, duhet edhe Qeveria me e nda pjesën tjetër që ato me u zhvendosë edhe prej aty e kanë me i çu në Sllatinë. Ministria e Mjedisit ma ka leju që me i vendos atje”, thotë ai.

Komuna e Pejës është e pafuqishme të merret me problemin për shkak se ai i takon Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Protesta në Pejë – Foto: KALLXO.com

Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti, ka thënë për KALLXO.com se Komuna nuk është e informuar për kohën e qëndrimit të këtyre fuçive në këtë fshat.

“Ne jemi në përkrahje të banorëve edhe do të jemi gjithnjë, kudo që të rrezikohen banorët tanë, ne jemi në përkrahje të tyre sepse janë banorë të komunës së Pejës dhe ne jemi gardianë nëse mundem me e quajtë kështu të kualitetit të jetës që ata kanë me zhvillu në ato pjesë ku jetojnë”, tha Sheremeti.

Banorët e fshatrave Gorazhdevc, Poçestë, Millovancë, Vragoc, Babiq, Pishtan edhe Kërstov thonë se do vazhdojnë protestat.