Protesta në Pejë - Foto: KALLXO.com

Banorët e 7 fshatrave të Pejës përsëri do të protestojnë kundër materieve kimike

Këshilli organizativ i shtatë fshatrave të Pejës kanë paralajmëruar mbajtjen e protestës së radhës për ditën e nesërme (7 qershor).

Protesta do të mbahet në orën 12:00, para ish-filialit të Fabrikës së Këpucëve në fshatin Poçestë.

Organizatorët kanë thënë se kjo protestë do të mbahet pasi kërkesat e banorëve të këtyre shtatë fshatrave nuk janë përmbushur.

Sipas tyre, materiet kimike nuk janë larguar nga prona e kompanisë “Shala Swis Oil”, afër kishës ortodokse në Poçestë.

“Do të mbahet protesta e radhës nesër më 07.06.2019 në ora 12:00, afër fabrikës në Poçestë në mënyrë paqësore, më moton “TI DËSHIRON TË PASUROHESH NDËRSA, NE DUAM TË JETOJMË SHËNDETSHËM”.”

Përmes telefonit, KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e kësaj kompanie, Nezajim Shala për ta pyetur rreth protestës së radhës që do të mbahet para pronës së tij, mirëpo ai ka deklaruar se nuk është i informuar.

“Ata kanë të drejtë me bë protesta e le të bëjnë deri vitin e ardhshëm. Deri në 2025 kur të hyjmë në Evropë le të bëjnë protesta. Nuk e di, nuk kam kurrfarë informacioni për këtë punë. Nuk më kanë njoftu”, ka thënë ai.

Pjesë e kësaj proteste pritet të jenë banorët e fshatrave Gorazhdevc, Poçestë, Millovancë, Vragoc, Babiq, Pishtan edhe Kërstovë.

KALLXO.com të hënën (3 qershor) kishte raportuar për protestën e mbajtur në Poçestë nga banorët e shtatë fshatrave të cilët kundërshtuan vendosjen e 53 fuçive nga kompania “Swiss Oil” në lokalet e ish-kombinatit të lëkurë-këpucëve.

Banorët pretendojnë se këto fuçi, përmbajnë materie të rrezikshme për shëndetin e tyre dhe se u duhet ndërruar lokacioni.

https://kallxo.com/banoret-e-7-fshatrave-te-pejes-protestojne-kunder-materieve-kimike-ne-zonen-e-banimit/

www.kallxo.com