Banka Evropiane- Kredi 42 Milionëshe për Hekurudhën

Kredia 42 milionëshe e Bankës Evropiane të Investimeve do të përdoret për rehabilitimin e një pjese të hekurudhës Han i Elezit-Leshak.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësdrejtori i Bankës Evropiane të Investimeve Ramuldo Massa Bernucci.

Marrëveshjen e nënshkruar e shpjegoi ministri Hoti.

“Vlera e marrëveshjes e nënshkruar sot është 42 milionë euro për rehabilitimin e një pjese të hekurudhës nga Hani Elezit në Leshak me gjatësi prej 149 kilometrash nga gjithsej 330 kilometra sa është linja totale e hekurudhës që do të rehabilitohet në të ardhmen, e në total do të kushtojë 195.5 milionë euro,” tha Hoti.

Zëvendësdrejtori i Bankës Evropiane të Investimeve Ramuldo Massa Bernucci tha se ky është investimi i parë i kësaj banke në sektorin publik të Kosovës.

“Ky është investimi i parë prej 42 milionë euro që banka jonë së bashku me Këshillin e Evropës e jep për Qeverinë e Kosovës për të investuar në sektorin publik,” tha Bernucci.

Shefi i Zyrës së BE-së Samuel Zhbogar tha se Kosova do të përfitojë nga rehabilitimi i hekurudhës.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje sot vie pas takimit të Vjenës dhe Berlinit që kemi pasur për Kosovën, rehabilitimi i hekurudhës sjellë benefite të mëdha për ekonominë e Kosovës, është një fillim i mirë i zhvillimit ekonomik. BE-ja në këtë fazë do të japë 40 milion euro grante për hekurudhën e Kosovës,” tha Zhbogar.

Edhe ministri Hoti arsyetoi investimet në hekurudhë, duke thënë se ato janë të rëndësishme edhe për regjionin, pasi hekurudha lidh Kosovën edhe me vendet fqinje.

Marrëveshja e nënshkruar sot mori dritën e gjelbër nga Komisioni për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e mbajtur më 25 nëntor.

Kredinë e sotme do ta marrë “Infrakos-i”, ndërsa garantuese e saj do të jetë Ministria e Financave.

Punimet e rehabilitimit të një pjese të hekurudhës do të fillojnë në vjeshtë, projekti do të zgjasë 4 vjet.