Konsultimet e qeverisë me Bankën Botërore | Foto: KALLXO.com

Banka Botërore: Shfrytëzojeni Rininë!

Në konsultimet e përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Qeverisë së Kosovës në lidhje me kornizën e partneritetit për vitet 2017-2021, kjo bankë u bëri thirrje institucioneve kosovare që ta shfrytëzojnë si avantazh në raport me të tjerët rininë për zhvillim ekonomik.

“Kosova ka popullsi të re me një moshë mesatare prej 26 vjetëve dhe kjo ofron një dividentë potenciale që është një nxitje për rritjen ekonomike që të tjerët në Evropë nuk e kanë, andaj është një përparësi për Kosovën, por për ta shfrytëzuar këtë avantazh Kosova duhet të punojë drejt rritjes së investimeve dhe rritjes së eksportit,” tha Ellen Goldstein.

Goldstein është drejtore e Bankës Botërore për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore.

Ajo tregoi qëllimin e kësaj banke në rajonin e Ballkanit.

“Qëllimi ynë është që të eliminohet varfëria e skajshme në Ballkanin Perendimor, e mënyra e vetme për t’ia arritur qëllimit është krijimi vendeve të punës me cilësi të lartë dhe mundësi ekonomike për të rinjtë,” tha Goldstein.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se për çfarë arsye u zhvilluan konsultimet me Bankën Botërore.

“Aktualisht kemi identifikuar edhe tri projekte të cilat pritet të bëhen efektive gjatë vitit 2017 që janë siguria e ujit dhe rehabilitimi i kanalit të Ibër-Lepencit, projekti i ujit të nëntokës dhe zhvillimin e bujqësisë, konkurrueshmërinë e produkteve të prodhuara në Kosovë dhe çështjet tjera që lidhen me këto tri objektiva,” tha Hoti.

KALLXO.com shkroi për kredinë që Banka Botërore dha për rehabilitimin e kanalit të Ibër-Lepencit.

http://kallxo.com/banka-boterore-22-milione-euro-per-ujin-e-kosoves/

Hoti më tutje përmendi portfolio (llogari) të Kosovës me Bankën Botërore në vlerën e 400 milionë dollarëve që tha se po përdoren në sektorët e zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe tregtisë e industrisë, ndërsa sipas Hotit shumica e tyre janë grante t[ kësaj banke.

Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovelli theksoi se Kosova tashmë është duke e përcaktuar rrugën drejt së ardhmes.

“Me Kosovën ne kemi operuar prej shumë kohësh dhe kemi arritur në përfundim të strategjisë së parë të partneritetit. Ne po konsultohemi dhe po e përcaktojmë rrugën drejt së ardhmes,” tha Mantovanelli.

Për diskutim të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ai i Bujqësisë Memli Krasniqi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami.

Konsultimet pastaj u vazhduan pa praninë e medieve.