Foto: World Bank Kosovo

Banka Botërore mbështet bizneset e vogla kosovare me vlerë prej 22.3 milionë eurosh

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në Washington DC ka miratuar një projekt të ri për Kosovën, Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar në Kosovë.

Ky projekt do ta përmirësojë qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, duke përfshirë bizneset fillestare, sipërmarrësit e rinj dhe bizneset në pronësi të grave, përmes forcimit të kapacitetit financiar dhe teknik të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Mbështetja financiare për projektin është 22.3 milionë euro apo 25 milionë dollarë amerikane ($25 milionë).

“Banka Botërore ka kënaqësinë të përkrah përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të rritur qasjen në financa dhe si rrjedhojë për të rritur krijimin e vendeve të punës nga sektori privat”, tha Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

Projekti financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore.

Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit.

Financimi i këtij projekti ka afat kthimi (maturimi) prej 30 vjet, përfshirë këtu një grejs periudhë (mospagesë) prej 5-vjetëve.

Zbatimi i projektit do të bëhet nga FKGK.