Banka Botërore: Kosova gjatë vitit 2018 me rritje ekonomike prej 4.2 për qind

Raporti i  fundit i  Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerëson se ekonomia e Kosovës, gjatë vitit 2018 pritet të shënojë një rritje reale prej 4.2%, duke vazhduar të renditet si vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon.

Kjo perspektivë pozitive e ekonomisë së Kosovës gjithnjë sipas raportit të Bankës Botërore, i atribuohet rritjes së investimeve totale dhe performancës më të mirë të eksporteve, si rrjedhojë e pritjeve optimiste në ekonominë e Eurozonës dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Gjithashtu, vazhdimi i përmirësimit të kapaciteteve absorbuese të investimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare do të jetë një shtytës tjetër pozitiv në përshpejtimin e rritjes ekonomike në Kosovë.

Ngjashëm me vitin 2018, rritja ekonomike do të vazhdojë të përshpejtohet edhe në horizontin afatmesëm (2019- 2020), duke u luhatur rreth nivelit 4.5%, ndërkohë që deficiti buxhetor, sipas raportit të BB-së, do të vazhdojë të respektojë rregullën fiskale gjatë periudhës së parashikuar.

2Për të ardhur deri tek ky rezultat shumë pozitiv i rritjes ekonomike të Kosovës, e që është edhe prirës në rajon, Ministria e Financave ka ndërmarr një mori veprimesh që nga dita e parë e marrjes së mandatit të ministrit Bedri Hamza. Ndër veprimet kryesore përfshihen edhe  ndryshimet e Politikave Fiskale, themelimin dhe zhvillimin e instrumenteve të ndryshme financiare për mbështetje të biznesit, si dhe shumë veprime tjera qoftë ato ligjore apo operative, me qëllim të zhvillimit të sektorit privat”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Sipas MF-së, Kosova përveç që ka arritur të ketë rritjen më të madhe të zhvillimit në rajon, kjo pa dyshim që do të ndikojë edhe në motivimin e investitorëve të rinj për investime në Kosovë.

“Ministria e Financave nuk do të ndalet me kaq. Ne do të vazhdojmë edhe me reformat tjera tani të bëra publike për vitin e ardhshëm, ku në këtë Raport të Bankës Botërore theksohet rëndësia e vazhdimit të procesit të reformave në ekonomi, duke u mbështetur edhe në planifikimet buxhetore”, njofton MF-ja.

Me këtë rast, Ministria e Financave thekson se këto pritje të Bankës Botërore janë në linjë edhe me të dhënat më të fundit zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2017,  ku sipas së cilës ekonomia e Kosovës për vitin 2017 u rrit me 4.23%, në terma realë, e nxitur kryesisht nga investimet dhe konsumi.

“Gjithashtu, të dhënat e përditësuara për gjysmën e parë të vitit 2018 nga ASK konfirmojnë vazhdimin e ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë këtij viti.  Po ashtu edhe Komuniteti i Biznesit në të gjitha anketat e tyre kanë dëshmuar që bizneset janë shumë të kënaqura me politikat fiskale në përgjithësi”, përfundon njoftimi i MF-së.

Foto: MF