Ballkani, rrugë transiti e ekstremizmit të dhunshëm

Sekretari gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svillanoviq tha se Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor nuk janë bartës të destabilitetit drejt Europës, por ky rajon është rrugë transite përmes së cilës kalojnë ekstremizmi, armët dhe lëndët narkotike.

Sipas tij, për të parandaluar kontrabandën e këtyre të këqijave drejt perëndimit, duhet koordinim më i madh mes shteteve të rajonit.

“Andaj dëshirojmë të jemi faktor i rritjes së stabilitetit në Europë por është plotësisht e qartë se problemet nuk rrjedhin prej këtu, megjithatë kemi detyrë të parandalojmë proceset transite prandaj duam të realizojmë nivel më të lartë të stabilitetit nacional dhe të bashkëpunimit në këtë fushë”, deklaroi Goran Svillanoviq.

Svillanoviq, i cili në Sarajevë drejton këshillin për bashkëpunim rajonal, gjithashtu përmendi edhe hapësirën kibernetike si rrezik i marr i radikalizmit, duke kërkuar që materiale të tilla të largohen nga interneti dhe të pamundësohet vendosja e serishme e tyre.

Personat tashmë të ndikuar nga idetë radikale, sipas Ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, përveç deradikalizimit, duhet edhe të risocializohen.

“Për luftën kundër terrorizmit si e keqja më e madhe, është shumë e rëndësishme që të zhvillojmë programe jo vetëm për masat represive, por të krijojmë mundësi për t’u lidhur me komunitetin për zhvillim të programeve për parandalim për deradikalizimin e atyre që janë tëradikalizuar dhe marrin pjesë në aktivitete të këtilla dhe risocializmin e atyre që tashmë janë nëpër burgje të Maqedonisë dhe jashtë”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Spasovski gjithashtu tha se parandalimi i terrorizmit dhe ekstremizmit mund të bëhet duke zbuluar dhe identifikuar faktorët që kontribuojnë në aktivitetet e dhunshme. E për ndërtimin e mekanizmave që do të luftonin këtë të keqe të përbashkët, përfaqësues të rajonit sot shkëmbyen përvojat dhe mendimet e tyre nën temën “Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”./21Media