Liderët e Ballkanit Perëndimor pas takimit në Bruksel – Foto: Facebook/HashimThaci

Ballkani në vitin 2019: Ndryshimi duhet të vijë nga brenda

Pas zhgënjimeve të pjesës së dytë të vitit 2018, është e qartë që demokracia dhe transformimi duhet të vijnë nga vetë shoqëritë e Ballkanit – jo si rezultat i presionit të jashtëm.

Viti 2018 ishte viti i pritshmërive të mëdha. Pasi kryetari i Komisionit Jean-Claude Juncker premtoi anëtarësimin e mundshëm të Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025, dhe Komisioni përpiloi një strategji të re, viteve të neglizhencës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor duket se po u vinte fundi.

Presidenca bullgare e BE-së e zgjeroi axhendën e saj, ndërkohë që një çast i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me mosmarrëveshjen mbi emrin e Maqedonisë çoi në nënshkrimin e “Marrëveshjes së Prespës” në qershor 2018.

Gjysma e dytë e vitit ishte më e kthjellët. Rruga për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës ka qenë me pengesa dhe nuk ka përfunduar ende. Shpresa për një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës mbetet e largët. Brenda BE-së, zgjerimi e ulur përsëri listën e prioriteteve. Më e rëndësishmja, Franca dhe Holanda sinjalizuan në qershor se nuk janë pro progresit me zgjerimin, pavarësisht marrëveshjes greko-maqedonase.

Çfarë duhet të presë rajoni në vitin 2019? Shkurtimisht, viti i ardhshëm do ta bëjë të qartë se ndryshimi për rajonin duhet të vijë nga brenda.

Obsesioni rajonal me “sinjalet pozitive” nga BE-ja nuk do të ndihmojë. Deri në pranverë, Komisioni aktual do të jetë drejt fundit të periudhës së tij në post, duke pritur rezultatin e zgjedhjeve parlamentare europiane në maj dhe formimin e një komisioni të ri.

Situata në Kosovë do të përshkallëzohet

Nuk mund të priten projekte apo nisma të reja. Kjo lë një dritare shumë të ngushtë për dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja, pasi çdo marrëveshje duhet të përfundojë deri në pranverë.

Kjo duket e vështirë të imagjinohet për momentin. Si presidenti serb Aleksandar Vuçiq ashtu edhe qeveria e Kosovës kanë vënë theksin më shumë në përshkallëzimin e mosmarrëveshjes së tyre sesa në bashkëpunimin. Të dy mund të besojnë se mund të arrijnë një përfundim më të mirë me një Komision të ri dhe me pasuesin e Federica Mogherinit.

Për më tepër, në Kosovë asnjë aktor nuk ka mbështetje për të arritur një marrëveshje në këtë moment dhe presidenti Hashim Thaçi duket edhe më i dobët sesa ishte një vit më parë. Nuk ka gjasa që ai të sigurojë mbështetje për një marrëveshje me Serbinë, nëse do të ketë një të tillë.

Nga ana serbe, Vuçiq duket më i interesuar në negocimin dhe përshkallëzimin sesa në gjetjen e një zgjidhjeje. Në fund të fundit, ai s’ka asnjë interes që të veprojë shpejt.

Blerja e kohës mund të bindë një Komision të ri që t’i ndajë bisedimet në lidhje me Kosovën nga pranimi i Serbisë në BE, sidomos nëse ai nuk ngjan si fajtori për vonesën dhe nëse ndonjë zgjidhje e shpejtë e zhvendos më shumë vëmendjen drejt rënies së demokracisë dhe sundimit të ligjit në Serbi. Prandaj, përshkallëzimi me një BE më të dobët për të ndërhyrë duket më shumë si rendi i ditës në vitin 2019.

I paqartë shpërblimi i Maqedonisë për marrëveshjen me Greqinë

Ndërkohë, suksesi kryesor i vitit 2018 ka qenë marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë. Megjithëse ende nuk është garantuar që do të kalojë pengesat përfundimtare në të dy vendet, ajo duket se ka më shumë gjasa të rezultojë e suksesshme sesa të dështojë.

Marrëveshja është përpjekja më e rëndësishme për të zgjidhur një mosmarrëveshje e rëndësishme rajonale për njëfarë kohe. Ajo që mbetet e paqartë është nëse Maqedonia do të marrë një shpërblim nga BE-ja për përpjekjet e saj. Ndërkohë që anëtarësimi në NATO duket më i mundshëm deri në vitin 2020 maksimumi, qëllimi më i rëndësishëm i lëvizjes së integrimit europian është më pak i sigurt.

Skepticizmi i disa anëtarëve të BE-së rreth zgjerimit në përgjithësi mund të pengojë punimet e procesit të zgjerimit dhe fillimin e bisedimeve të pranimit verën e ardhshme për Maqedoninë dhe për Shqipërinë. Ky rrezik nënvizon faktin se pranimi në BE nuk bazohet vetëm në progresin e bërë nga vendet aspiruese, por edhe në gatishmërinë e anëtarëve ekzistues të BE-së për të vazhduar para me anëtarësimin.

Vitin e ardhshëm mund të mos ketë Komisioner për Zgjerimin

Populistët dhe nacionalistët do të jenë më të fortë në Parlamentin e ardhshëm Europian, që do të zgjidhet në maj, edhe pse ndërrimet ka gjasa të jenë më pak dramatike sesa ato që ka parë peizazhi politik europian në vitet e fundit.

Disa nga partitë e ekstremit të djathtë do të kundërshtojnë zgjerimin në mënyrë që parlamenti i ri të jetë më i rezervuar ndaj zgjerimit dhe BE-së në përgjithësi.

Ky skepticizëm do të pasqyrohet në Komision, edhe pse ai ka gjasa të përfshijë partitë e mëdha europiane të qendrës, Socialistët, Partinë Popullore Europiane dhe Liberalët.

Është e mundur që Komisioni i ri të mos ketë as një Komisione për Zgjerimin. Duke pasur parasysh rënien e vazhdueshme të portofolit të zgjerimit gjatë 15 viteve të fundit, kjo nuk do të ishte ndonjë surprizë.

Kjo do të dërgonte një sinjal të gabuar, por duhet të merret parasysh si mundësi. Mospasja e një Komisioneri për Zgjerimin do të reflektonte prioritetin më të ulët që i jepet zgjerimit, por nuk do të ndryshonte realitetin ekzistues në BE.

Për më tepër, pasja e një komisioni nga vendi “i gabuar” mund të jetë më keq akoma. Nëse do të vendosej një komisioner hungarez për zgjerimin, për shembull, ai ose ajo mund ta dëmtojnë më shumë zgjerimin sesa të mos kishte fare komisioner.

Shumica e skeptikëve të zgjerimit tashmë janë të shqetësuar se zgjerimi do të sillte më shumë versione të Viktor Orbanit në BE, ose më shumë rumunë dhe bullgarë. Prandaj, një komisioner nga atje do ta ripohonte këtë shqetësim.

BE-ja ende mbështet liderët rajonal

Gjatë viteve të fundit, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë bërë disa të mira, por edhe dëm, në rajon.

Merrni parasysh mbështetjen e madhe liderët e rajonit dhe sabotimin për sundimin e ligjit, duke përfshirë edhe Hungarinë që i ofroi azil Nikola Gruevskit, ish-kryeministrit të dënuar të Maqedonisë.

Një nga sfidat e rëndësishme për BE-në është se si të merret me anëtarët që lënë haptazi pasdore sundimin e ligjit, duke përfshirë Hungarinë dhe Poloninë, por edhe Italinë.

Deri më tani i kanë munguar mjetet dhe shpesh edhe vullneti politik për të trajtuar këtë sfidë. Në vend të kësaj, ata që shkelin sundimin e BE-së hedhin një hije, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, mbi Ballkanin. Kini parasysh samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit të planifikuar për në Poznan.

Vendimi për ta mbajtur samitin në Poloni është po aq katastrofik sa edhe vendimi për ta mbajtur samitin e këtij viti në Londër. Nëse dikush do të dëshironte ta zbrazte Procesin e Berlinit, nuk mund të zgjidhte dot vende më të mira, përveç, ndoshta, Budapestit.

Mesazhi nga Britania dhe Polonia është në të dyja rastet, “Bëni siç themi ne, por mos bëni siç bëjmë ne”, domethënë, largohuni nga BE-ja ose shkelni rregullat e saj.

Presidenca rumune e BE-së gjithashtu pati disa synime për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në samitin e Sibiut të planifikuar për muajin maj, por kjo duket gjithnjë e më e dyshimtë.

Shkurtimisht, ndryshimi dhe një shtysë për një transformim pozitiv nuk ka gjasa të vijnë nga BE-ja në vitin 2019.

Kjo mund të jetë e kthjellët, por edhe e rëndësishme: duke qenë se rënia e dekomkracisë dhe anëtarësimi në BE kanë ecur krah për krah në vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, është e qartë se afrimi me BE-në nuk është më një mënyrë e sigurt për të rritur nivelin e demokracisë; Europianizimi dhe demokratizimi nuk janë më në sinkron.

Një trend i tillë nuk nënkupton se shoqërisë duhet të heqin dorë nga integrimi në BE, siç sugjerojnë disa parti nacionaliste në rajon. Përkundrazi, transformimi drejt shoqërive më pluraliste dhe demokratike duhet të vijë nga brenda.

Duke marrë parasysh amullinë dhe rënien e demokracisë në rajon, jo më pak në Serbi, përveç Maqedonisë; sfida është e qartë.

Liderët në të gjithë rajonin gëzojnë vëmendje dhe mbështetje nga BE-ja dhe liderë të tjerë botërorë ndërkohë që ata gradualisht mund të shkatërrojnë gradualisht institucionet dhe mediat demokratike dhe të pavarura në vend.

Nuk ka asnjë shenjë se ata do të përballen me presion më të madh nga jashtë. Edhe në Maqedoni në vitin 2015, kur të gjithë mund të dëgjonin regjistrimet e një qeverie të korruptuar që spiunonte shtetasit e saj, të vinte nën presion gjykatat dhe të manipulonte mediat, presioni erdhi nga brenda dhe vetëm në fund nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Shoqëria civile dhe partitë opozitare mbajtën barrën më të madhe. Në rajon dhe sidomos në Serbi, presioni për më shumë demokraci dhe sundimin e ligjit do të duhet të vijë nga vetë shoqëritë.