Ndarja e kufijve sipas marrëveshjes së demarkacionit është ende e paqartë për publikun | Foto: përpunim mbi Google Maps

Ballafaqim për Dilemat Rreth Demarkacionit

Komisioni për Integrime Evropiane do të thërrasë në takim informues anëtarë të komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe profesorë të kësaj fushe e përfaqësues të shoqërisë civile për t’i ballafaquar argumentet e tyre në një tavolinë.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane u miratua propozimi i deputetes Vjosa Osmani (LDK) për t’i ftuar në takim informues (jo-vendimmarrës), kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, Murat Mehën bashkë me disa anëtarë të këtij komisioni në një anë dhe profesorë e njohës të kësaj fushe (si Shpejtim Bulliqi, Zejnullah Gruda) e edhe deputetë të opozitës që e kanë kundërshtuar këtë proces.

Krejt kjo me qëllimin që dy palët t’i ballafaqojnë argumentet pro e kundër, e deputetët të informohen.

Por, kundër kësaj ideje ishte deputetja Donika Kadaj-Bujupi (LVV), e cila iu bashkua sot këtij komisioni pas bojkotit opozitar.

“Le të dakordohemi që këtë marrëveshje ta kthejmë në pikën zero. Propozoj që kjo marrëveshje të zhvlerësohet, e pastaj të bëjmë shqyrtimin e ballafaqimin e argumenteve,” tha Donika Kadaj-Bujupi.

Por Vjosa Osmani, propozuesja e ballafaqimit për demarkacionin tha se nuk ekziston mundësia që të veprohet siç propozoi Kadaj-Bujupi.

“E kuptoj qëndrimin tuaj politik për zhvlerësim. Por proceduralisht nuk ka asnjë mundësi të tillë,” tha Osmani.

Deputetja e LDK-së i shpjegoi edhe procedurat.

“Ata [Komisioni Shtetëror për Demarkacion] nuk mund ta sjellin marrëveshjen në kuvend, atë e sjell veç qeveria. Komisioni për Legjislacion e ai për Punë të Jashtme e kanë punën me kalu këtë marrëveshje, e cila është ndërkombëtare. Ne si komision për integrime nuk mund ta bëjmë këtë, nuk na lejohet,” tha Osmani.

Madje, ajo dha edhe një tjetër propozim që nën organizimin e Komisionit për Integrime ky takim të mbahet edhe jashtë kuvendit. Të quhet tryezë a thjeshtë diskutim, sipas saj e rëndësishme është që dy palët të ballafaqohen në një tavolinë e deputetët të informohen nga afër.

E deputeti Arben Gashi (LDK) tha se frika që demarkacioni po hyn nga një derë e vogël në kuvend nuk duhet të ekzistojë.

Ndërsa deputeti Bislim Zogaj (PDK), tha se nëse marrëveshja vjen në kuvend për ratifikim “unë do të abstenoj për shkak se nuk kam njohuri. Jam për idesë që dy palët të vijnë në takim e ne të informohemi.”

Me vetëm një votë kundër, ky propozim u miratua, por nuk u caktua data. U tha se ballafaqimi do të ndodhë pas datës 5 korrik. Takimi do të mbahet në hapësirat e kuvendit.

Po ashtu në rend dite ishte edhe raportimi i Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, por sipas kryetares së komisionit Njomza Emini (LD), ky takim është anuluar për shkak të një vizite zyrtare që ai ka pasur. U vendos që takimi të mbahet të hënën.

Por, këtu reagoi sërish Vjosa Osmani, e cila tha se në mbledhjen e kaluar anëtarëve të këtij komisioni u është thënë se ministrat Hajredin Kuçi e Skender Hyseni po i refuzojnë ftesat e komisionit për raportim.

“Kam biseduar me të dy ministrat dhe më kanë thënë që nuk kanë marrë ftesa (nuk po flas për sot). Kam dashur që këtë problem ta ngre edhe në seancë plenare, por nuk duhet të ngremë çështje të paqena. Të pyesim në administratë fillimisht ngase ne nuk kemi pas kurrë problem me refuzim ftesash nga ministrat,”tha Osmani.

Ajo pati vërejtje edhe në transkriptet që po bëhen, ngase sipas saj ka diskrepanca të mëdha në mes të asaj që thuhet dhe që shkruhet.

Ky komisioni miratoi edhe Shqyrtimin e Projektligjit për Kundërvajtje me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin Murat Meha ishte paraparë të raportonte në Komisionin për Integrime Evropiane më 3 qershor, por atë ditë ai e anuloi raportimin, ngase makina e tij u sulmua me ngjyrë të kuqe nga aktivistë të “Vetëvendosjes”.

http://kallxo.com/meha-nuk-del-ne-komision-pas-sulmit/