Bajrami: Do t’i Largojmë Mësimdhënësit e Dhunshëm

Ministri i arsimit ishte i pranishëm në mbylljen e projektit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në shkolla të hartuar nga Qendra për Arsimin e Kosovës, UNICEF-i dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ai e konsideroi dukuri të shëmtuar dhunën në shkolla.

“Dhuna në shkolla është dukuria më e shëmtuar që mund t’i ndodhë një sistemi arsimor. Kohëve të fundit ju keni parë skena rrëqethëse edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Jemi duke punuar shumë edhe në komponentët e performancës në mënyrë që t’i largojmë mësimdhënësit e dhunshëm që nuk e kanë vendin në sistemin arsimor,” tha Bajrami.

Projekti 2 vjeçar ka paraparë përkrahjen e shkollave në zbatimin e Rregullores mbi Parandalimin dhe Referimin e Dhunës, ndërsa ka përfshirë edhe aktivitete me nxënës për ndërmjetësim të rasteve të dhunës.

James Mugaju, përfaqësues nga UNICEF-i konstatoi ndikimin që mund të ketë dhuna në shkolla në suksesin e nxënësve dhe të ardhmen e tyre.

“Shkollat janë vende për mësim dhe dhuna nuk ka vend aty. Në shkolla nxënësit përfitojnë aftësi dhe dije që i bën ata pjesëtarë produktivë të shoqërisë. Pra, kur ka dhunë në shkolla me të vërtetë i kufizon mundësitë dhe potencialin e fëmijëve,” vlerësoi Mugaju.

Ndërkaq, Stergious Tragoudas nga Zyra e BE-së në Kosovë konsideroi shqetësuese rritjen e dhunës nëpër shkolla duke marrë parasysh përqindjen e popullsisë që gjendet në shkolla në Kosovë.

“Në një shoqëri si Kosova ku rinia dhe fëmijët numërojnë më shumë 60 për qind të popullsisë, është shumë e rëndësishme që të sigurohen të drejtat e fëmijëve dhe se fëmijët marrin kujdes të duhur në sistem arsimor. Fatkeqësisht dhuna po rritet në shkollat e Kosovës dhe duhet të gjendet zgjidhje,” tha Tragoudas.

Nga rezultatet e prezantuara të projektit, rreth 88 raste të dhunës në shkolla janë zgjidhur nga grupet ndërmjetësuese si dhe 56 raste janë raportuar  në Sistemin Menaxhues të Informacionit në Shkolla.