Foto: Facebook
Bajrami: Nuk Jam i Kënaqur me Inspektorët e Arsimit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, është shprehur i pakënaqur me punën e deritanishme të Inspektoratit të Arsimit.
Ai ka kritikuar mungesën e vetiniciativës së inspektorëve për të siguruar cilësi në sistemin arsimor.
“Jo gjithmonë jam i kënaqur me nivelin e Inspektoratit të Arsimit. Shpeshherë më është dashur ta shtyj Inspektoratin në veprim dhe është i fundit ministri që duhet t’i thotë një inspektori ta bëjë një inspektim”, deklaroi Bajrami.
Këto deklarata ministri i bëri gjatë prezantimit të Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit, i cili parasheh reformimin e Inspektoratit dhe specializimin e inspektorëve.
MASHT ka prezantuar sot draftligjin për Inspektoratin e Arsimit në të cilin parashihet ndarja e përgjegjësive dhe kompetencave mes Inspektoratit të Arsimit dhe institucioneve të tjera arsimore.
Projektligji parasheh ndarjen e inspektorëve në inspektorë pedagogjikë dhe profesionalë apo administrativë, ndarje kjo që sipas ministrit Bajrami do të krijojë Inspektorat Arsimor të besueshëm dhe kompetent. [interaction id=”56efe19cd34d2f9b2e560f3b”]
Alush Istogu, ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të MASHT-it ka vlerësuar se Ligji aktual ka qenë i mangët në aspektin e ndarjes së përgjegjësive.
“Duhet të theksohet se Ligji i tanishëm i Inspektoratit të Arsimit nuk ishte i qartë në lidhje me ndarjen e përgjegjësive në mes institucioneve, drejtorive komunale të arsimit dhe institucioneve tona shkollore”, tha Istogu.
Monika Mott, kryesuese e Departamentit të Edukimit nga Austria, përfaqësuese nga projekti i binjakëzimit, ka ritheksuar rëndësinë e këtij Ligji si pjesë e reformës në sistemin e arsimit.
“Unë mendoj se kur bëhen ndryshime rrënjësore në cilindo sistem të edukimit, sigurimi i cilësisë bëhet një çështje urgjente që të mund të kuptohet se ku po shkon me të vërtetë sistemi i edukimit”, vlerësoi Mott.
Sipas ministrit Arsim Bajrami aktualisht janë rreth 60 inspektorë, numër i mjaftueshëm, sipas tij, për funksionimin e Inspektoratit.
Ai konsideron si shumë të rëndësishëm rolin e Inspektorati, jo vetëm në kontrollin e cilësisë por edhe në ndihmën për përmirësimin e saj.