Deputetja Hykmete Bajrami dhe kryeministri në detyrë Isa Mustafa - Foto: KALLXO.com

Bajrami: Është Përmirësuar Ambienti për Biznes

Ministrja Hykmete Bajrami tha se është përmirësuar në masë të konsiderueshme ambienti i të bërit biznes në Kosovë prej kohës kur ajo e drejton Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Si rezultat i këtij përmirësimi sipas saj kanë ardhur shumë investime të huaja.

“Në këtë gjashtëmujor, numri i bizneseve me pronar të huaj është rritur për 36%, ndërsa numri i bizneseve me pronare gra është rritur për 31%. Ne kemi pasur një fluks të kompanive të huaja, sidomos nga vendet e zhvilluara, të cilat janë në proces të investimeve dhe të cilat janë në proces të gjetjes së mundësive për të investuar në Kosovë”, tha ajo.

Ajo shtoi se Kosova ka shënuar progres dhe këtë e dëshmon edhe fakti se vendi ka marrë notë më të lartë nga Banka Botërore.

“Një raport i Bankës Botërore që ka të bëjë me indikatorët e qeverisjes rregullatore, thotë se Kosova ka shënuar një progres të konsiderueshëm, nga nota 2.6 sa e kishte vitin e kaluar është notuar me notën 4.6. E nota maksimale është nota 6”, tha Bajrami.

Ndërkaq, kryeministri, Isa Mustafa, tha se Qeveria ka arritur që agjendën ekonomike ta vërë në rend të parë.

“Kemi arritë po ashtu një agjendë të qëndrueshme që të krijojmë kushte normale për punë të bizneseve dhe të krijojmë një zhvillim ekonomik me të cilin ne mund të mburremi, por i cili nuk është ai i cili ne e synojmë dhe e kemi pritë sepse dëshirojmë që të jetë edhe më i madh”, tha ai.

Ai shtoi se përkundër vështirësive të shkaktuara nga opozita kanë arritur që të kenë rritjen më të madhe ekonomike në regjion.

“Ne prisnim që të kemi një rritje ekonomike për vitin  e kaluar 4%, që është rritja më e lartë në regjion, e cila mund të them që është arritur edhe përkundër dhunës, gurëve, gazit lotsjellës, molotovit, me të cilët ne jemi ballafaquar në mënyrë shumë të ashpër gjatë vitit të kaluar”, shtoi Mustafa.

Këto deklarata kryeministri e ministrja i dhanë gjatë një konference para mbajtjes së mbledhjes së 6-të të Këshillit Kombëtar Ekonomik.