Arsim Bajrami në Komisionin për Arsim | Foto: KALLXO.com

Bajrami Do Diskutime për Universitetin e Mitrovicës Veriore

Gjatë raportimit para Komisionit për Arsim në lidhje me arsimin e lartë, ministri Arsim Bajrami paralajmëroi diskutime në Kuvend për universitetin e Mitrovicës Veriore.

Por për Bajramin diskutimet e tilla nuk mund të ndodhin pa përfundimin e bojkotit që deputetë dhe ministra të Listës Serbe po u bëjnë institucioneve.

“Unë i kam dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit që në mbledhjen e parë të Kuvendit kur të marrë pjesë Lista Serbe do te diskutohet për universitetin e Mitrovicës së Veriut”, tha Bajrami para komisionit.

Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Arsimit lëshoi certifikatat e para për të diplomuarit në këtë universitet, pasi Qeveria e Kosovës në dhjetor të 2015 njohu diplomat e universitetit në Mitrovicën e Veriut për ata që dëshirojnë të punësohen në institucione shtetërore.

Ministri Bajrami para anëtarëve të Komisionit për Arsim tha se arsimi i lartë ka shënuar progres.

“Arsimi i lartë është një fushë ku ne kemi pas progres të theksuar, kjo përmendet edhe në raportin e progresit. Është një prej fushave të pakta ku institucionet tona kanë pasur rritje”, tha Bajrami.

Por Raporti i Progresit 2016 kërkon që të përmirësohet cilësia e arsimit në të gjitha nivelet e tij. Edhe Arsim Bajrami në komision deklaroi se cilësia e arsimit duhet të ngrihet.

“Duhet që të rritet cilësia në arsimin e lartë. Ne jemi të punuar në këtë drejtim. I kemi 7 universitete publike, një të konsoliduar në tërësi, ndërsa 6 tjerë janë në fazën finale të konsolidimit,” tha Bajrami.

Bajrami deklaroi se ka nisur nostrifikimi i diplomave të atyre që kanë kryer studimet në Shqipëri.

“Kemi pasur kërkesa të shumta nga Shqipëria dhe ne kemi filluar me plotësimin e aplikacioneve,” tha Bajrami teksa lavdëroi Kryeministrin Edi Rama se ka mbyllur 22 universitete private.

Edhe Bajrami tha se Ministria e Arsimit mbylli disa kolegje private, ndërsa deklaroi se tash asnjëri nga ta nuk quhet më universitet.

“Ne kemi mbyllë disa kolegje. Në fillim të mandatit të gjitha kolegjet private janë quajtur universitete, sot nuk e kemi asnjë, të gjitha quhen kolegje private,” tha Bajrami.

Por Ismajl Kurteshi, anëtari i komisionit dhe deputeti i “Vetëvendosjes” përmendi profesorë, asistentë, senatorë te UP-së, që sipas tij nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë.

Më 3 shkurt Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) bëri të ditur se katër profesorë të UP-së janë graduar pa plotësuar kriteret.

http://kallxo.com/orca-avancoi-4-profesore-pa-permbushur-kriteret/

Edhe Gazeta Jeta në Kosovë disa herë ka shkruar për gradime të tilla të profesorëve të Universitetit të Prishtinës.

Avancimi i Profesorit me Punim të Papublikuar

Gradimi i Dyshimtë në Profesorë i Pesë Dekanëve të UP-së