Bajram Mulaku mohon kategorikisht të ketë shantazuar ish-kryeshefin e Telekomit  Shyqyri Haxha

Ish kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i ka konsideruar të pavërteta deklarimet e ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës , Shyqyri Haxha i cili sot para raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për gjendjen në këtë kompani ka thënë se është shantazhuar nga ish-kryetari Mulaku për punësimin e dy personave.

“Mas pari unë njëri të gjallë nuk kam punësuar në postë, as nëpërmes tij as nëpërmes kurrkujt. Cili kryetar mundet me bo dikon dëshmor ose mund me ja hjek statusin, ku ka logjik kjo, asni kryetar nuk ka pas privilegje ligjore e as morale me bo dikon dëshmor e as veteran”, ka thënë ai.

Sipas tij, ish-kryeshefi i Telekomit, duhet të dalë me emra konkretë për punësime eventuale, dhe jo me akuza të cilat ai i ka mohuar kategorikisht.

“Skom ushtru kurrfarë presioni ndaj tij, s’më ka punësuar njëri të gjallë ai. Kategorikisht është e pavërtetë ajo, çfarë presioni ka pasur ai unë nuk di, por me të vërtet s’ka gjë prej asaj pune. Ai është dashur me dalë konkret e kam punësuar këtë ose atë me pa kush është punësuar me intervenimin tim, po ju garantoj njëri të gjallë nuk kam punësuar në postë, as para se mu bo kryetar, as sa kam qenë kryetar as pasi që nuk jam kryetar”, ka theksuar Mulaku.

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha ka folur për shumë çështje të kësaj ndërmarrjeje në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me PTK dhe Vala.

Ai ka përmendur shumë emra që sipas tij kanë bërë keqpërdorime brenda kësaj ndërmarrjeje.

Ndër ta, ai tha se Ish-kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku ia kishte dërguar dy vetë për punësim në PTK.

Po ashtu sipas tij, për punësimin e tyre ishte shantazhuar nga Mulaku, i cili sipas Haxhës i ka thënë se do t’i hiqej statusi i dëshmorit vëllait të tij, Bahri Haxhaj.

https://kallxo.com/haxha-thote-se-e-kercenuan-me-heqjen-e-statusit-te-deshmorit-te-vellait-per-punesime-ne-telekom/?fbclid=IwAR3h9mzo8STg7D5MHcfVfiXTizRpjUi-oRoFHK5e8HpajmzWjsBwowVqYpI