Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Këshilli Drejtues i këtij universiteti Foto: UKZ

Bajram Kosumi rizgjidhet rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan

Këshilli Drejtues i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, i përbërë prej shtatë anëtarësh, sot ka votuar në mënyrë unanime për rizgjedhjen e rektorit Bajram Kosumi edhe për një mandat katër vjeçar.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Emrush Thaçi, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e rektorit të UKZ-së ka shkuar mirë.

“I gjithë procesi ka rrjedhur mirë dhe konform rregulloreve pa asnjë problem”, ka thënë ai.

Rektori i rizgjedhur, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka falënderuar anëtarët e Këshillit Drejtues për besimin e dhënë, për ta udhëhequr këtë universitet edhe për një mandat.

“Besimi që më keni dhënë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”, ka thënë Rektori Kosumi.

UKZ ka bërë të ditur se me zgjedhjen e rektorit është përmbyllur i gjithë procesi zgjedhor.

“Fillimisht studentët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, mandej janë mbajtur zgjedhjet për këshillat e fakulteteve dhe së fundi është konstituuar edhe përbërja e re e senatit, të cilët do të marrin mandatin me 1 tetor 2019.”, thuhet në njoftim.

Zyrtarja për informim në UKZ, Minire Rexhepi, ka thënë për KALLXO.com se për këtë pozitë nuk ka pasur kandidatë të tjerë që kanë aplikuar.

“Nuk ka pasur kundërkandidatë. Sot është votuar sepse kemi pasur zgjedhje të rregullta.”, ka thënë Rexhepi.

Kosumi ishte zgjedhur rektori i këtij universiteti në shtator të vitit 2015-të. Ai që nga viti 2008 është profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka qenë edhe shef i Departamentit të Gazetarisë gjatë viteve 2013-2015.

Rektori Kosumi, gjithashtu ka qenë i angazhuar si mësimdhënës në Universitetin Shtetëror të Tetovës përgjatë viteve 2010-2015, vazhdon të jetë kryeredaktor i revistës kërkimore “Media” që nga viti 2010, si dhe ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare gjatë viteve 2011-2015.