Gani Bajraktari, FOTO: Facebook

Bajraktari e quan hakmarrje largimin nga puna

Kardiologu Gani Bajraktari tha se largimi i tij nga puna është vendim hakmarrës e primitiv i drejtorit aktual të ShSKUK-së Basri Sejdiut.

Ai thotë se e kuptoi nga mediat se drejtori aktual i ShSKUK-së paska marrë edhe një vendim për largimin e tij nga puna.

“Unë nuk kam marr akoma ndonjë vendim për largimin (përjashtimin) tim nga puna, dhe nuk e di se çfarë në fakt shkruan në atë vendim. Megjithatë, ky vendim është përsëri vendim hakmarrës dhe primitiv, i dirigjuar dhe i diktuar nga drejtori aktual i ShSKUK”, thotë ai.

Bajraktari thotë se hakmarrja e Sejdiut ka ardhur si pasojë e raportimeve të tij për vdekjet e pacientëve, të cilat tashmë janë dërguar në Prokurori nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Për faksimilin e tij të falsifikuar, me të cilin po mashtron opinionin dhe pacientët, sepse ai nuk ka pasur dhe nuk ka licencë kardiologu. Denoncimin tim në Odën e Mjekëve të Kosovës për dyshimin mirë të bazuar se ai ka bërë trajtim të pandërgjegjshëm të pacientit, familjarin e të cilit e kishte nxitur haptas që të bëjë deklaratë kundër meje”, thotë Bajraktari.

Sipas tij është rritur vdekshmëria e më shumë se 50 përqind të pacientëve me Infarkt Akut të Miokardit, nën menaxhimin e tij, meqë nuk kishte shkollim të duhur për ta menaxhuar Klinikën.

“Të gjitha këto veprime të mia institucionale në Odën e Mjekëve të Kosovës dhe në organet tjera relevante në nivel shtetëror kanë bazë mirë të arsyeshme se paraqesin vepra penale sipas Kodit të Procedurës Penale të shkaktuara nga Drejtori aktual i ShSKUK” thotë ai.

Bajraktari thotë se e ka denoncuar Sejdiun se ai nuk ka mundur të jetë anëtar i Komitetit Specialistik për Kardiologji pa qenë vet kardiolog.

“Largimi im nga puna, pavarësisht se nuk e kam pa (por mund ta imagjinoj), do të jetë përsëri vendim qesharak, i pabazuar, tendencioz, antiligjor, me motive të ulëta, etj., të cilin jam shumë i sigurt se Inspektorati i Punës përsëri do ta rrëzojë, sepse nuk ka as edhe një argument të vetëm se unë kam bërë as edhe gabimin më të vogël në punën time profesionale”, thotë Bajraktari.

Sipas Bajraktarit nuk mund të jetë valid një vendim i një Komisioni Disiplinor, kryetarit të të cilit ai i ka bërë Kallëzim Penal në Prokurori për veprime të qëllimshme të pabazuara ndaj tij.

Drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu tha se nuk ka kallëzim penal në Prokurori për Kryetarin e Komisionit Disiplinor që e ka marrë vendimin për largimin e Bajraktarit.

“Vendimin e ka marrë Komisioni Disiplinor. Asgjë personale nuk ka në këtë vendim” tha Sejdiu për KALLXO.com

https://kallxo.com/perjashtohet-nga-puna-kardiologu-gani-bajraktari/

.