Mbledhja e asamblesë | Foto: Komuna e Mitrovicës

Bahtiri Pretendon Gabim në Numërim, Ndërpritet Mbledhja

Mospajtimi i kryetarit të komunës Agim Bahtiri për votat e marra të asamblistit te VV-së për t’u zgjedhur anëtar i komisionit të ndërmarrjes “ Uniteti “, ishte shkak i ndërprerjes së mbledhjes së Kuvendit Komunal të Mitrovicës.

Në këtë mbledhje u votua për zgjedhjen e anëtarëve që do ta formojnë Komisionin Komunal të Aksionarëve të Kompanisë Regjionale “ Uniteti“.

Kryetari Bahtiri kishte propozuar Erseka Hasanajn për anëtare të këtij komisioni, ndërsa nga PDK u propozua Sami Latifi dhe nga LDK Flutura Beka, ndërsa Faton Feka i VV nuk kishte arritur të merrte votat e duhura nga asamblistët që të jetë pjesë e komisionit.

Kjo ngjalli reagime të kryetarit Bahtiri i cili kërkoi pauzë, ndërsa asamblistët e tjerë kërkuan shpjegim për kërkesën e kryetarit të Mitrovicës.

Pastaj kryesuesi i Kuvendit Komunal Jeton Ujkani dha pushimin e drekës prej një ore.

Pas kthimit të të gjithëve në sallë, kryetari Bahtiri shpjegoi se kishte vërejtur gabim në numërimin e votave sa i përket asamblistit të VV Faton Feka dhe se për këtë kishte kërkuar pauzën që ta vërtetonte sipas tij përmes kamerave një gjë të tillë.

Ai shtoi se kjo çështje ose duhej pranuar si “punë e kryer“ se rezultati kishte qenë 16-16 dhe vota e kryesuesit të ishte vendimtare, ose të kthehej në rivotim, pasi që sekretaria e kuvendit kishte gabuar në numërim.

Kjo gjë u kundërshtua nga Safet Kamberi i LDK-së, i cili tha se nëse do bëhej rivotimi asamblistët e LDK-së do të dilnin nga salla me arsyetimin se do të kishte shkelje të procedurave të kuvendit nëse do të votohej prapë për një gjë për të cilën më herët veç ishte votuar.

Pas kësaj LDK fillimisht, si dhe PDK më pas braktisën seancën.

Kuvendi mbeti me 17 anëtarë, duke mos i plotësuar kushtet për vazhdim të seancës për mungesë të asamblistëve.

Para se të ndërpritej seanca, në Asamblenë e Mitrovicës u miratua Komitetin për Politikë dhe Financa duke respektuar kuotën gjinore.

Ndërsa Komiteti për Komunitete mbeti të aprovohej në mbledhjen e ardhshme për shkak se ende nuk ishin dërguar emrat e propozuar nga komunitetet.

Në asamble u aprovua formimi i Komisionit Komunal të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike “Tregu“, ku pjesë e këtij komisioni do të jenë Hysni Ahmeti i propozuar nga kryetari i komunës Agim Bahtiri, Fahri Uka nga LDK si dhe Alban Fazliu nga PDK.

Në këtë seancë kanë bërë betimin e tyre edhe tre asamblistë të rinj- Jeton Zeneli nga AKR që zëvendeson Naser Mujën i emëruar drejtor i Shërbimeve Publike, Izet Tahiri nga VV në vend të Faruk Mujkes që eshte zgjedhur nënkryetar i komunes si dhe Fidane Hasani gjithashtu nga AKR në vend vend të Erseka Hasanajt, e emëruar drejtoreshë e shëndetësisë.

Po ashtu është miratuar edhe  draft rregullorja për tatime në pronë me ndryshime të tarifave të tatimit.

Për objektet sportive edhe për pishina tatimi është ulur nga 0.18 në 0.17.

Në vitin 2016 Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për politizimin e Bordit të Ndërmarrjes “Uniteti”.

Komuna e Agim Bahtirit Politizon Bordin e Pastrimit