Akademia përkujtimore në njëvjetorin e vdekjes së Bajram Rexhepit – Foto: Komuna e Mitrovicës

Bahtiri: Po e ndjejmë mungesën e kolosit të Kosovës – Bajram Rexhepit

Në njëvjetorin e vdekjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, në Mitrovicë është mbajtur akademi përkujtimore.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës, në akademi morën pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, familjarë të të ndjerit Rexhepi, ministra, zëvendësministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të të ndjerit dhe shumë qytetarë të Mitrovicës, rajonit e më gjerë.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri tha se një vit më parë lajmi i rëndë për vdekjen e mjekut, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, pjesëmarrësit të UÇK-së, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, kryebashkiakut të parë të Mitrovicës e më vonë edhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, humanistit të madh dhe liridashësit Bajram Rexhepi ua lëkundi zemrat të gjithëve.

Ai në vazhdim tha se ishte kjo një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, mitrovicasit, por edhe për tërë vendin.

“Sot, një vit më pas, kur jemi tubuar këtu për të kujtuar këtë kolos të Kosovës, ne mitrovicasit, por besoj edhe të gjithë shqiptarët, po e ndjejmë me të madhe mungesën e këtij njeriu të mirë, shpirtbardhë dhe humanist i madh, i cili ka lënë gjurmë të thella në këtë mjedis dhe në tërë Republikën e Kosovës. Shumë punë me dobi kombëtare e shtetërore janë të lidhura me emrin e Dr. Bajram Rexhepit”, tha Bahtiri.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësuan lartë figurën e Bajram Rexhepit dhe kontributin e tij dhënë para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti Vanesa Rexhepi, vajza e ish-kryeministrit, duke thënë se veprat e babait të saj janë udhëzues të rrugës së saj dhe gjithsecilit që e njohën atë.