Babai i Arben Xheladinit: Qeveritë në gjumë, nuk morën hapa për të gjetur vrasësit

Familjarë, miq e aktivistë të Vetëvendosjes sot kanë bërë homazhe pranë varrit të Arben Xheladinit, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje që ishte vrarë para 12 vjetëve në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007.

Babai i Arben Xheladinit, Shaban Xheladini sot tha se Qeveria ende nuk e ka zbardhur rastin e vdekjes së biri të tij dhe Mon Balajt.

“Deri më tani qeveritë tona kanë rënë në gjumë dimëror dhe nuk kanë marrë kurrfarë hapi për të gjetur kriminelët që i rrahën e ushtruan dhunë në mbi 80 të rinj e të reja, i paaftësuan për jetë katër prej tyre dhe i vranë Arbenin edhe Monin”, tha Xheladini.

Shaban Xheladini shtoi se aktivistët e vrarë nuk i mbrojti as Hashim Thaçi.

“Djemtë tanë nuk konsiderohen si mbrojtës të Kosovës, madje edhe ish-kryetari i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi u vu në mbrojtje të policëve rumunë”, tha ai.

Xheladini theksoi se i biri i tij Arbeni qysh në moshën nëntë vjeçare kur kishte parë dhunën që po ushtrohej ndaj studentëve, nuk ishte ndarë nga protestat.

“Ai më nuk është ndalur, ka marrë pjesë në çdo tubim të studentëve që çoheshin në mbrojtje të interesit të shqiptarëve të interesit të mbrojtjes së Kosovës. Në atë kohë nuk u kursye që Kosova të mos pësojë, ai gjithmonë ka qenë në ballë të protestave edhe pse ishte i vogël”, tha Xheladini.

Sot janë bërë 12 vjet që nga protesta e 10 shkurtit 2007, ku vdiqën dy persona, u lënduan dhjetëra të tjerë dhe u arrestuan disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë homazhe edhe pranë varrit të Mon Balajt në Podujevë./21Media