Babadimri ‘postier’ gëzon fëmijët e shtrirë në Pediatri

150 punëtorët e Shoqatës Sindikale “Postieri” të Postës së Kosovës në ditën e ndërrimit të moteve, kanë shpërndarë dhurata për fëmijët e hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë.

Anëtarja e kësaj shoqate, Vjollca Shala Mulaj ka deklaruar se me rekomandimin e doktoreshës përcjellëse i kanë shpërndarë dhuratat për fëmijët e shtrirë në këtë klinikë.

“Sot kemi ardhur me rastin e festave të fund vitit, dhe me rastin e vitit të ri…si anëtar kemi mbledhur fonde që të blejmë dhurata dhe t’i gëzojmë pak fëmijët e Klinikës së Pediatrisë. Gjegjësisht kemi qenë në tri reparte edhe me sugjerim të doktoreshës dhe kemi bërë shpërndarjen e dhuratave”, ka shtuar ajo.

Këtë gjest e ka mirëpritur doktoresha, Rufadie Maqastena Maxhuni e cila ka uruar që në vitin 2019 të ketë sa më pak fëmijë të sëmurë.

“Kisha me falënderua Postën e shtetit të Kosovës që punëtorët e Postës që kanë vlerësuar një vullnet të mirë për fëmijët për këta fëmijë që janë të sëmurë që në këto ditë të festave që nuk gjenden pranë familjes së tyre, por gjenden në spital dhe sado pak në një mënyrë shumë modeste i kanë gëzuar fëmijët me këto dhurata”, ka deklaruar Maxhuni.

Dhurata për fëmijët në këtë klinikë të QKUK-së, ditë më parë ka shpërndarë edhe Ministria e Shëndetësisë.