Azem Vllasi. Foto: BIRN

Azem Vllasi Kërkon 932 Mijë Euro nga të Akuzuarit e ‘Syrit të Popullit’

Azem Vllasi, i plagosuri më 13 mars 2017, nëpërmjet avokatit të tij Nasuf Hasani ka kërkuar kompensim në vlerën 932 mijë euro nga të akuzuarit e “Syrit të Popullit”.

Informacionin e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati Nasuf Hasani.

Kompensimin Vllasi e ka kërkuar nga Murat Jashari, Avni Llumnica, Sadri Ramabaja e të akuzuar tjerë.

Vllasi për lëndim të rëndë trupor i ka kërkuar 200 mijë euro kompensim. Ai ishte plagosur para zyrës së tij të avokatisë.

Vllasi në kërkesën e përpiluar nga avokati i tij ka kërkuar 220 mijë euro për rënie të punës, pasi konstaton se njerëzit kanë frikë të shkojnë pas sulmit te zyra e tij.

500 mijë euro Vllasi i ka kërkuar për dhimbje shpirtërore dhe emocionale dhe 12 mijë euro për shpenzime të shërimit nga plagët.

Në kërkesën për kompensim thuhet se nëse nuk mundin të akuzuarit ta bëjnë kompensimin, mjetet të sigurohen nga fondi “Liria e Atdheut”, në të cilin, sipas kërkesës të akuzuarit kanë grumbulluar mjete për të kryer aktivitetet kriminalo-terroriste.

Seanca ndaj Murat Jasharit dhe të tjerëve do të zhvillohet të enjten.

Përveç Jasharit, Llumnicës e Ramabajës të akuzuarit tjerë të këtij procesi gjyqësor janë Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj tyre më 28 shkurt.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-10-te-dyshuarve-per-pjesetare-te-organizates-syrit-i-popullit/

10 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

http://kallxo.com/aktakuza-syri-i-popullit-kerkoi-njohjen-e-enver-hoxhes-per-hero-kombetar/

http://kallxo.com/aktakuza-grupet-guerile-dhe-grupi-dajakut-te-syrit-te-popullit/

Murat Jasharit, njërit nga të akuzuarit e këtij grupi i është caktuar trajtimi psikiatrik.

Murat Jashari e Avni Llumnica u arrestuan si të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi që ishte njëri nga udhëheqësit kosovarë të periudhës komuniste.