Azem Sylën e Zëvendëson në Kuvend Një i Dënuar

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Azem Syla, ka dhënë sot dorëheqje nga të gjitha funksionet politike, përfshirë edhe atë të deputetit pas dyshimeve të ngritura ndaj tij se është pjesë e një grupi që ka bërë tjetërsim të pronave shoqërore.

Në deklaratën e dhënë sot, Syla ka thënë se pavarësisht se mendon se akuzat ndaj tij janë të pabaza, ai tha se ka vendosur të largohet nga pozita e deputetit “për t’i dhënë hapësirë dhe mundësi drejtësisë të veprojë e pavarur”.

Largimi i Sylës nga Kuvendi i ka hapur rrugën ish kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja që ta marrë ulësen e lënë bosh brenda Grupit Parlamentar të PDK-së.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2014, Shukri Buja kishte marrë 8,224 vota.

Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Shukri Buja ishte dënuar me 4 muaj burg me kusht dhe 2,000 euro gjobë pasi u gjet fajtor në akuzat për mosdeklarim të pasurisë.

Këtë vendim të gjykatës, Buja e kishte quajtur si ‘politik’ menjëherë pas përfundimit të seancës.

http://kallxo.com/shukri-buja-denimi-im-ishte-politik/