Deputeti i PDK-së, Azem Syla - Foto: Facebook

Azem Syla Ndihet i Pastër

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, i cili sot ishte objektiv i një operacioni të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, meqë dyshohet se i përkiste një grupi kriminal, përmes një deklarate, të cilën e kanë publikuar mediet vendore, thotë se pretendimet e ngritura kundër tij janë të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija.

Syla thotë se ndihet i pastër dhe se këtë pastërti do ta dëshmojë shpejt para organeve të drejtësisë.

Po ashtu, deputeti i PDK-së ka thënë se në kohën e bastisjes së shtëpisë së tij ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit përgjegjës të operacionit.

Sipas medieve vendore, kjo është deklarata e plotë e Azem Sylës në lidhje me aksionin e sotëm të autoriteteve të rendit dhe drejtësisë:

“Me shqetësim të thellë kam marrë lajmin sot, për bastisjen e shtëpisë sime në orët e hershme të mëngjesit, nga policia e Eulexit dhe policia e Kosovës.– Njoftoj opinionin e gjerë se unë deri ditën e djeshme kam qenë në Republikën e Kosovës, duke kryer te gjitha aktivitetet e mia publike si deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.– Unë nuk kam pasur asnjë fletëthirrje nga organet shtetërore dhe nuk kam qenë në dijeni se ka qenë duke u zhvilluar ndonjë hetim ndaj meje.– Prandaj unë qysh dje pasdite kam lëvizur jashtë vendit me një agjendë time personale.– Vlen të theksohet se sot gjatë bastisjes së shtëpisë sime, unë kam qenë në kontakt përmes telefonit me organet kompetente që kanë marrë pjesë në bastisje, dhe kam shprehur gatishmërinë time për t’u kthyer në Kosovë dhe për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, në çdo kohë kur ata e shohin të nevojshme.– Unë Azem Syla dua t’i garantoj familjarët e mi, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës, se asnjë nga pretendimet e ngritura ndaj meje, nuk qëndrojnë, janë të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija. Unë absolutisht jam i pastër, dhe kjo pastërti do të dëshmohet shumë shpejt nga organet e drejtësisë.– Një jetë të tërë ja kam kushtuar krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Republikës së Kosovës, prandaj jam i prirë fuqishëm të besoj në organet e drejtësisë së vendit tim. Me respekt! Azem Syla”.