Gjykimi i pjesëtarëve të dyshuar të Syrit të Popullit| Foto: KALLXO.com

Avokatja Kërkon që Murat Jashari të mos Ftohet në Gjykatë

Në seancën e sotme të të akuzuarve për pjesëmarrje në “Syrin e Popullit” një avokate kërkoi që Murat Jashari të mos ftohet në gjykatë.

Fehmije Gashi- Bytyqi, avokatja e Murat Jasharit kërkoi sot që i mbrojturi prej saj të mos ftohet në gjykatë.

Avokatja tha se pasi Jashari është diagnostifikuar si i sëmurë, ai është i papërgjegjshëm penalisht dhe me këtë gjendje që ai ka aktualisht, të mos ftohet në seancat e radhës.

Prokurori Sylë Hoxha e kundërshtoi kërkesën e avokates,ndërsa konstatoi se nga ekspertizat e bëra rezulton se i akuzuari mund të procedojë me dëgjimin e seancave gjyqësore.

Gjykatësja Naime Jashanica pastaj e refuzoi propozimin e avokates.

Murat Jashaarit më 26 janar i është caktuar trajtim psikiatrik.

http://kallxo.com/murat-jasharit-caktohet-trajtim-psikiatrik/

Seanca e sotme ku Murat Jashari dhe nëntë persona tjerë akuzohen se janë pjesëtarë të “Syrit të Popullit”, u shty ngase mungoi i akuzuari Bajrush Konjufca.

Seanca që nuk u zhvillua sot, u caktua më 11 prill.

Përveç Murat Jasharit, të akuzuarit tjerë të këtij procesi gjyqësor janë Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Prokuroria Speciale ngritI aktakuzë ndaj tyre më 28 shkurt.

10 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Murat Jasharit, njërit nga të akuzuarit e këtij grupi i është caktuar trajtimi psikiatrik.

Murat Jashari e Avni Llumnica u arrestuan si të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi që ishte njëri nga udhëheqësit kosovarë të periudhës komuniste.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.