FOTO: KALLXO

Avokati Vasiq: Numri i avokatëve serbë është i vogël

Dejan Vasiq, avokat nga Mitrovica, ka thënë se numri i avokatëve nga komuniteti serb është relativisht i vogël për shkak se shumë njerëz kanë vendosur që të mos merren me këtë profesion ose tae  lënë atë për shkak të mosfunksionimit të gjykatës në veri të Mitrovicës.

“Në Mitrovicë nuk ka funksionuar gjykata për dhjetë vite, dhe me këtë qasja në drejtësi është vështirësuar. Sigurisht se kjo ka dekurajuar juristët e rinj por dhe të vjetrit që të vazhdojnë të merren me këtë profesion. Por unë pres që kjo të ndryshojë në të ardhmen. Veçanërisht duke pasur parasysh se kuadrot aktuale gjyqësore këtu në Mitrovicë, në masë të madhe janë në prag të pensionimit, unë pres që një numër i madh i këtyre kolegëve do të bashkohen në avokati”, ka thënë Vasiq.

Poashtu Vasiq ka shtuar se kjo është çështje individuale e vetë juristëve dhe sa  ata janë të interesuar që të merren me këtë profesion.

Ndërsa për çështjen e gjuhëve avokati Vasiq tha se në praktikën gjyqësore nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos ketë përkthim për ndonjë rast. Në rastin tjetër ka pasur përsëritje të procedurës.

“Çdo gjykatë e ka përkthyesin e vet, disa përkthyes janë më të përqendruar, disa jo, disa janë më të mirë, disa më të dobët, por asnjëherë nuk ka ndodhur që të mbahet gjykimi e të mos ketë përkthim. Kurdo që kemi pasur lëndë me gjykim në shqip, gjithmonë ka pasur përkthyes, dhe nëse përkthyesi nuk ka qenë i pranishëm ajo ka qenë arsye për përsëritje të procedurës”, ka thënë Vasiq.

.