ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com
Avokati tregon ku gjendet Sabit Geci
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të arrestojë ish-eprorin e UÇK-së, Sabit Gecin, i cili është i dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile dhe për armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Apelit e kishte aprovuar më 2.11.2018 ankesën e avokatit të Sabit Gecit, i cili kishte kërkuar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh nga dita e lirimit nga Burgu i Dubravës.
Qendra Korrektuese në Dubravë e ka pranuar në të njëjtën ditë vendimin e Apelit dhe të njëjtën ditë e kishte liruar të dënuarin.
Sipas aktvendimit, Sabit Geci ka pasur të lajmërohet në mbajtje të dënimit në Dubravë më 2 maj 2019.
Por, për shkak se i njëjti nuk është lajmëruar në datën e caktuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta arrestojë Sabit Gecin dhe ta sjellë në burg.
Fletë rreshtimi është lëshuar më 3 maj 2019, pasi që i dënuari nuk është hasur në shtëpinë e tij në Prishtinë.
KALLXO.com ka kontaktuar avokatin e Sabit Gecit, Haxhi Millakun.
Avokati ka thënë se klienti i tij gjendet për shërim në Stamboll.
Haxhi Millaku ka thënë se në vazhdimësi i ka njoftuar organet kompetente për gjendjen e Sabit Gecit, i cili, sipas tij, është i prekur nga kanceri në mëlçi dhe në organe të tjera vitale.
“Më 30 prill kam bërë kërkesë në Apel për vazhdimin e pezullimit dhe i kam njoftuar të gjitha organet kompetente se klientit tim i duhet ende kohë për trajtim. Unë u kam dërguar foto dhe video-incizime ku shihet gjendja e klientit tim, por ata nuk e kanë marrë parasysh këtë, as nuk e kanë pritur vendimin e Gjykatës së Apelit dhe i kanë shkuar në shtëpi klientit tim”, tha avokati Haxhi Millaku.
Avokati i Gecit thotë se kërkesën për vazhdimin e pezullimit e ka bërë në bazë të gjendjes së rëndë që e ka ai, duke shtuar se klienti i tij nuk është person që ikë sepse këtë, sipas tij, e ka dëshmuar edhe më parë.
Sipas Haxhi Millakut, Sabit Geci është shtrirë në spital në Stamboll më 2 mars 2019 dhe se deri më tani i është nënshtruar 2-3 operacioneve.