Gjykimi i Fatmir Limajt | Foto: KALLXO.com

Avokati: Ramiz Hoxha e Selman Binishi nuk u Vranë si Tradhtarë

Tahir Rrexcaj, avokati i Fatmir Limajt tha se në gjykimin për krime lufte është vërtetuar pafajësia e të mbrojturit të tij.

Sipas Rrecajt, gjykimi ka vërtetuar edhe se Ramiz Hoxha e Selman Binishi, në lidhje me vrasjen e të cilëve akuzohet Limaj, nuk janë vrarë si tradhtarë.

Ky shqyrtim gjyqësorë përveç që ka vërtetuar pafajësinë e z.Limaj, po ashtu ka vërtetuar edhe një fakt shumë të rëndësishëm për familjet e dëmtuara, se Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi nuk janë vrarë si kolaboracionistë dhe tradhtarë të kombit”, tha avokati Rrecaj në fjalën përfundimtare.

Rrecaj më tutje tregoi se pllakën përkujtimore për Selman Binishin e ka zbuluar Fatmir Limaj.

“Një rrugë në fshatin e tyre e mban emrin e Selman Binishit dhe në pllakën përkujtimore në qytetin e Malishevës figuron edhe emri i Selman Binishi ku me rastin e përurimit e ka zbuluar Fatmir Limaj”, tha Rrecaj.

Avokati konstatoi se askush nga dëshmitarët, përveç njërit prej tyre nuk ka thënë se kidnapuesit e Binishit dhe Hoxhës kishin shenja të UÇK-së.

“Prokuroria e tha një fakt jo të vërtete, duke i lidhur ata persona me UÇK, duke thënë se të gjithë dëshmitarët e rastit kanë thënë që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së. Përpos dëshmitarit Enver Hoxha i cili nuk ka qenë dëshmitar okular, nuk kanë konfirmuar që 4 personat e maskuar kanë pasur shenja të identifikimit të UÇK, emblema apo diçka të ngjashme”, tha Rrecaj.

Prokurorja Drita Hajdari kërkoi sot në fjalën e saj përfundimtare që Fatmir Limaj të dënohet, duke thënë se ai nuk ndërmori asgjë për ta parandaluar vrasjen e dy civilëve.

Por avokati Rrecaj tha se prokuroria ka selektuar provat.

“Prokuroria ka qenë selektive duke zgjedhur provat të cilat beson se shkojnë në favor të akuzës. Kjo është në kundërshtim me parimin e gjykimit të drejtë dhe në kundërshtim me misionin e kësaj prokurorie”, tha Rrecaj.

Rrecaj deklaroi më tutje se pajtohet me prokuroren që vrasja e civilëve të mos kalojë e pandëshkuar, por tha se për këtë vrasje nuk duhet të dënohen të pafajshmit.

“Prokuroren sot e dëgjuam duke thënë se ligjet ndërkombëtare nuk e lejojnë vrasjen e 2 personave dhe askush të mos përgjigjet, unë pajtona plotësisht… por po ashtu ligjet ndërkombëtare nuk lejojnë dhe nuk parashohin që të akuzohen dhe të dënohen njerëzit e pafajshëm”, tha Rrecaj.

Ai kërkoi lirimin e Fatmir Limajt.

Propozoj që Fatmir Limaj të lirohet në mungesë të provave, sepse nuk ka prova që vërtetojnë dyshimin e arsyeshëm që Fatmir Limaj është fajtor për atë që akuzohet”, tha Rrecaj.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.