Hilmi Jashari

Avokati i Popullit: Shqetësues Përdorimi i Fëmijëve në Fushatë

Avokati i popullit Hilmi Jashari teksa foli për KALLXO.com e cilësoi dukuri shqetësuese përdorimin e fëmijëve në fushatat zgjedhore të subjekteve politike.

“Subjektet politike, përveç të tjerëve, duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, të përmbahen nga aktivitetet që do të cenonin të drejtat e fëmijëve, natyrisht duke pasur parasysh gjithherë interesin më të mirë të tyre”, tha Jashari për KALLXO.com.

Sot KALLXO.com shkroi për dënimin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa me 3300 euro nga PZAP-i për shkak të fotografive të tij gjatë fushatës me disa fëmijë që mbanin të veshura bluza me mbishkrimin LDK.

Mustafa reagoi pas këtij lajmi, duke thënë se dënimet e tilla po u përngjajnë plaçkitjeve të partive politike.

Mustafa në reagim nuk e mohoi daljen në foto me fëmijët, por tha se ata ia kishin kërkuar atë dalje.

“Fëmijët që janë fotografuar me mua janë të fshatit Skortobishte, të cilët janë ofruar dhe kanë shprehur dëshirë të fotografohen”, shkroi Mustafa në Facebook.

http://kallxo.com/isa-mustafa-denimet-po-u-perngjajne-plackitjeve-te-partive/

Avokati i popullit Hilmi Jashari u pyet nga KALLXO.com në lidhje me reagimin e Mustafës pas dënimit me gjobë për përfshirje të fëmijëve në fushatë.

Duke folur në përgjithësi në lidhje me këto shkelje, Jashari i cilësoi ato në kundërshtim me ligjet e zbatueshme në Kosovë.

“Natyrisht këto janë edhe në kundërshtim me interesin më të mire të fëmijëve si parim kryesor dhe e drejtë, e përfshirë edhe në akte të tjera ligjore të zbatueshme në Kosovë, që rregullojnë fusha të caktuara të të drejtave të fëmijëve”, tha Jashari.

Ai deklaroi se duhet të ruhet privatësia e fëmijëve.

“Kodi i Sjelljes për Shërbimet Mediale e Audio-Vizuale në Republikën e Kosovës, kur flet për prezantimin e fëmijëve dhe të miturve kërkon që e drejta e fëmijëve për privatësi gjithmonë të respektohet dhe se e ndalon  përdorimin dhe prezencën e fëmijëve në spotet e ndryshme provuese të partive politike”, tha Jashari.

Shumica e ankesave të BIRN dhe Interneës Kosova të dorëzuara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishin të bënin me paraqitjen e fëmijëve nëpër video, ose tubime të fushatës.

Dënimet e PZAP-it për ankesat e subjekteve politike vetëm gjatë fushatës zgjedhore kanë shkuar në 98 mijë euro.