Pamje nga homazhet për Astrit Deharin - Foto: Atdhe Mulla

Avokati i Popullit: Po Cenohet Dinjiteti i Familjes Dehari

Pas publikimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë së burgut në Prizren në momentet para dhe pas vdekjes së Astrit Deharit, ka reaguar Institucioni i Avokatit të Popullit.

Për këtë institucion rrjedhja e xhirimeve dhe deklaratat kontradikore të autoriteteve paraqesin shkelje ligjore dhe etike.

“Mosrespektimi i dhimbjes së familjes Dehari me deklarata kontradiktore nga zyrtarë të autoriteteve shtetërore, si dhe rrjedhja dhe zbulimi i xhirimeve nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, paraqesin shkelje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por gjithashtu janë shkelje të rënda të etikës profesionale,” thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit këto zhvillime po degradojnë hetimet dhe po cenojnë privatësinë e familjes Dehari.

“Avokati i Popullit shpreh brengosjen për degradimin e procesit të hetimeve, përfshirë  komentimin e detajuar të rrethanave lidhur me rastin, të cilat cenojnë rëndë dinjitetin dhe privatësinë e familjes në këtë fazë të vështirë për ta,” vazhdon reagimi.

Institucioni që mbron të drejtat e qytetarëve kërkon nga autoritetet kosovare që të mos shndërrohen në komentues të vdekjes së Deharit.

“Autoritetet publike duhet të jenë të përgjegjshme përballë detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë në një proces hetimor dhe jo të shndërrohen në debatues dhe komentues ordinerë me faktet dhe provat e një rasti nën hetime, jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe kompleks,” përfundon reagimi.

Edhe prindërit e Astrit Deharit në një konferencë për gazetarë të zhvilluar sot u shprehën të shqetësuar për publikimin e xhirimeve nga korridori i qelisë ku mbahej i paraburgosur djali i tyre.

http://kallxo.com/prinderit-e-astrit-deharit-te-shqetesuar-pas-publikimit-te-xhirimeve/

Kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha tha sot për KALLXO.com se nuk e di nga kanë rrjedhur xhirimet e korridorit të burgut të Prizrenit, ndërsa deklaroi se ndihet i shqetësuar për këtë rrjedhje.

http://kallxo.com/kryeprokurori-syle-hoxha-flet-per-xhirimet-e-dala-nga-burgu-prizrenit/

Astrit Dehari, aktivisti i “Vetëvendosjes”, vdiq të shtunën e kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana ende të pasqaruara.

http://kallxo.com/vdes-ne-qender-te-paraburgimit-nje-aktivist-i-vv-se/