Gjykimi i Merita Shehut. FOTO: KALLXO.com

Avokati pati marramendje rrugës për në gjykatë, dështon seanca për përvetësim parash

Fjala përfundimtare në gjykimin e Merita Shehut nuk arriti të mbahet sot në gjykatë për shkak të mungesës së avokatit të saj.

Shehu ish-arkëtare e degës së institucionit mikrofinanciar “FINCA” në Rahovec akuzohet  për përvetësim të mijëra eurove

Në sallë të gjykimit, gjyqtari Shaqir Zika, u njoftua se mbrojtësi i të akuzuares Merita Shehu, avokati Esat Gutaj rrugës duke ardhur në gjykim kishte pasur marramendje dhe tension të lartë dhe më pas kishte shkuar për marrje të ndihmës mjekësore.

“Avokati Esat kishte marramendje dhe luhatje të tënsionit, nëse ka mundësi që këtë seancë ta shtyjmë sepse unë  nuk i di rregullat dhe më duhet avokati”- deklaroi akuzuara Shehu.

Ndërsa prokurori Ramiz Buzhala, tha se nëse avokati Esat Gutaj vërtetë ka kërkuar tretman mjekësor atëherë shqyrtimi gjyqësor të shtyhet, në të kundërtën nuk ka pse të prolongohet çështja.

Trupi gjykues më pas caktori ditën e enjte për mbajtjen e seancës së radhës.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Ne muajin Maj në këtë rast kishin dëshmuar edhe ish-kolegët e të akuzuares.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj Merita Shehut, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari Shaqir Zika, aktakuzën e Prokurorisë e kishte vlerësuar të bazueshme edhe përkundër faktit që mbrojtësi i të akuzuares Shehu, avokati Esat Gutaj kishte pretenduar që aktakuza nuk është e mbështetur në prova materiale.

Në seancën e mbajtur në muajin janar, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë.

Ndërkaq në seancën e parë Merita Shehu, nuk e kishte pranuar fajësinë.

Ndërsa i autorizuari i Finces, Auberon Kelmendi, kishte thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si institucion mikro financiar kërkojnë kompenzim dëmi.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit Mikro-financiar Finca, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”-kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin Janar  e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtarë në Institucionin mikrofinanciar FINCA, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marr shumën e të hollave prej 14,200.00 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 9.777,50.00 euro.